Nga Artur Nura
Pyetja e parë që mund të shtrohet fillimisht në këtë analiza ka të bëjë me faktin përse Kina tashmë dërgon përfaqësues special në Evropë dhe pikërisht ambasadorin Li Hui?
Në përgjigje duhet kujtuar dhe një herë që ambasadori kinez Li Hui i njeh shumë mirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Për dhjetë vjet ai ishte ambasador në Moskë dhe Rusia mbetet “thembra e hakilit” për konfliktin e armatosur ruso – ukrainas i cili ka ndërthurur direkt ose indirekt interesa globale.
Jo rastësisht përpara se të udhëtonte për në Kiev, ambasadori Li Hui u emërua si përfaqësues i posaçëm për çështjet euroaziatike, duket ky një post i ri i krijuar për diplomatin me përvojë në raport me një strategji të qartë largpamëse të Pekinit ndaj botës, qartazi në raport me interesat ekonomike të vetë Kinës të cilat shtyjnë në favor të paqes në Ukrainë e jo vetëm.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës, ky post ka për qëllim “të dëshmojë për përpjekjet e Kinës për të promovuar bisedimet e paqes”, por për çdo sy të vëmendshëm duket si një udhërrëfyes disa planesh dhe demonstron interesin direkt të Kinës në ndërprerjen e luftës Ruso – Ukrainase.
Ekonomia është baza e çdo politike të jashtme
Turneu i ambasadorit Li Hui qartazi duket të jetë gjithashtu një mundësi për të folur për ekonominë me një protagonist si Ukraina: si pjesë politike e “rrugëve të reja të mëndafshit”, dhe jo rastësisht Kina i ka dhënë Ukrainës një hua miliardëshe që të përdoret veçanërisht për të modernizuar portin e Mariupolit dhe linjat hekurudhore. Pra për trenat që transportojnë misër ose vaj palme ukrainase në Kinë dhe mallra kinezë në Evropën Lindore.
Duhet thënë se ky korridor vendimtar tani është ndërprerë pikërisht nga lufta. Prandaj, sfida për Pekinin nuk është vetëm të ofrohet si ndërmjetës i paqes, por edhe të rivendosë këto rrugë tregtare sa më shpejt të jetë e mundur dhe ti japë mundësi ekonomisë të ridinamizohet sic e kërkon qartazi koha shumë dinamike.
Kina i beson rezultateve në dialogun me Bashkimin Europian
Më 19 maj, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin kryesoi një konferencë të rregullt për shtyp. Ndërsa u pyet nga një gazetar nëse konfirmohej që Përfaqësuesi Special i Qeverisë Kineze për Çështjet Euroaziatike Li Hui, planifikonte të vizitoje edhe selinë e Bashkimit Evropian, Wenbin tha se, me ftesë të palës së BE-së, Përfaqësuesi Special i qeverisë kineze për çështjet e Euroazisë, ambasadori Li Hui, do të vizitojë selinë e BE-së.
Kina do të vazhdojë të promovojë paqen dhe negociatat për të kontribuar në një zgjidhje politike të krizës në Ukrainë. Një qasje të tillë e konfirmon edhe vizita zyrtare e presidentit Francez Emanual Macron dhe Presidentes të Komisionit Europian, gjermanes Van Der Lyen në Kinë dhe bisedimet e nisura tashmë BE – Kinë.
Në ekspertizat e ndryshme mbi zhvillimet politike në Europë nuk mund të eklipsohet qasja politike e cila tregon se Eurapo lëviz nën drejtimin e “trenit” Franko – Gjerman më shumë se formula federale e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Me ambasadorin Li Hui duket se Kina konsideron si prioritare dialogun me Bashkimin Europian, Francën dhe Gjermaninë, por si njohëse e mirë e historisë të ish Bashkimit Sovjetik, nuk mund ti injorojë disa nga vendet e tjera të Bashkimit Europian dhe veçanërisht ato që kanë histori të lidhur e ndoshta të hidhur me Rusinë…
Ambasadori Li Hui në Varshavë me synim të qartë diplomatik
Më 19 maj, Li Hui, përfaqësuesi special i qeverisë kineze për çështjet euroaziatike, realizoi një takim në Varshavë me Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme polake Wohciech Gerwel. Sipas njoftimeve zyrtare, me këtë rast, të dy palët shkëmbyen mendime për zgjidhjen politike të krizës ukrainase dhe për marrëdhëniet Kinë-Poloni, etj.
Në takim ambasadori Li Hui vuri në dukje se Pekini shpreson se lufta do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe se bisedimet e paqes mund të rifillojnë. Kina, duke i kushtuar rëndësi rolit të Polonisë në çështjet rajonale, është e gatshme të mbajë vazhdimisht komunikimin me vendin për zgjidhjen politike të krizës ukrainase, duke mbështetur krijimin e një arkitekture të sigurisë evropiane të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme, në mënyrë që të ofrojë garanci të qëndrueshme për paqen evropiane.
Duke konsideruar Poloninë, Kina di që ajo është po aq e interesuar për Paqen sa Kina dhe i trembet përshkallëzimit të luftës në kufijtë e saj gjeografik por edhe historikë. Kina kështu ka një aleat më shumë në Europë në negocimin e saj diplomatik për ndalimin e luftës Ruso – Ukrainase.
Nga ana tjetër ky hap i jep mundësi interlokutorëve të ambasadorit Li Hui, në Europë, por edhe në Rusi ku do të përfundojë turi diplomatik i ambasadorit Li Hui, si i dërguar i posaçëm i presidentit Kinez, të binden për seriozitetin me të cilin Pekini po impenjohet për paqen në Ukrainë si interes parësor i saj ekonomik, por edhe rolit të rëndësishëm global që Kina ka dhe synon të forcojë.
Ndalesa e ambasadorit Li Hui në Gjermani jo rastësisht ka konsensus të plotë në deklaratat zyrtare.
Përfaqësuesi Special i Kinës për Çështjet Euroaziatike Li Hui zhvilloi bisedime të mërkurën me Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Jashtme Federale Gjermane Andreas Michaelis në Berlin.
“Kina mbështet përpjekjet e vendeve evropiane për të adresuar shkaqet kryesore të krizës dhe për të gjetur një zgjidhje si për pasojat ashtu edhe për shkaqet kryesore për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme të kontinentit evropian” tha ambasadori Li, sipas një njoftimi për shtyp të publikuar nga Ministria e Jashtme kineze të enjten.
Ndërsa Michaelis tha se pala gjermane vlerëson shumë përpjekjet pozitive të Kinës për të de-përshkallëzuar krizën në Ukrainë. Është shumë “e dobishme dhe e nevojshme” për Gjermaninë dhe Kinën që të forcojnë dialogun për një sërë çështjesh kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë çështjen e Ukrainës, tha sekretari i shtetit ne Ministrinë e Jashtme Gjermane duke demonstruar se Gjermania është e gatshme të punojë së bashku me Kinën për të përmirësuar komunikimin në të gjitha nivelet dhe për të promovuar një zgjidhje paqësore të krizës.
Ndalesat e ambasadorit Li Hui në Bruksel dhe Moskë paraqesin sigurisht një etapë të veçantë të këtij turi diplomatik të rëndësishëm të Pekinit për Paqen, jo vetëm Rusi – Ukrainë, por edhe me gjerë e ka tërhequr vëmendje mediatike botërore të shtuar./cri.cn