Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim me banorë të zonës së Vaqarrit, Tiranë, me të cilët ndau vizionin e tij për platformën “Shqipëria që duam”, sipas së cilës garantohet bashkëqeverisja me qytetarin.
Kjo platformë, theksoi Rama, synon fuqizimin e figurës së qytetarit në sytë e administratës si dhe bën të mundur që çdo anëtar i kabinetit qeveritar, apo autoritet i lartë shtetëror të marrë në kohë reale sinjalin se ku nuk po funksionon hallka qeverisëse.
“Platforma bën të mundur regjistrimin e çdo individi si pjesë e trupës së bashkëqeverisjes përmes lidhjes direkte me internet”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, e gjithë kjo do të shërbejë për të thyer mungesën e besimit që kanë njerëzit e zakonshëm, kur duhet të përballen me dilemën nëse duhet të reagojnë ndaj një padrejtësie apo mungese shërbimi në zyrat e shtetit. Njerëzit preferojnë më tepër të japin ryshfet, ta mbyllin aty për aty çështjen, se sa ti hynë një historie ku kanë frike se duke ngritur zërin s’kanë për të marrë kurrë atë që ju takon. Nëse analizojmë shkaqet , kjo ndodh për shkak të mënyrës se si është qeverisur, apo si është sjellë institucioni me qytetarët”, deklaroi kryeministri Rama.
Rezulton, tha Rama, se barra më e madhe psikologjike është pamundësia për të marrë në kohë reale e në mënyrë dinjitoze një shërbim nga shteti. Por, ai siguroi se ky proces do të zbatohet paralelisht me një reformë rrënjësore të administratës. Sipas tij, duke nisur nga muaji shtator do të bëhet e mundur risistemimi i të gjithë administratës, përfshirë edhe qeverinë.
“Unë i kam ndjekur me vëmendje raportimet që kanë bërë gjithë të deleguarit dhe rezulton që barra më e madhe psikologjike mbi njerëzit është ajo që ne kemi konstatuar. Pra, është pamundësia për të marrë në kohë reale një shërbim dinjitoz nga shteti. Sigurisht që ky proces do të shkojë paralelisht me një reforma shumë rrënjësore të administratës, reformën që ne kemi diskutuar gjatë fushatës, për të cilën unë kam thënë kjo bëhet vetëm nëse na jepni ne timonin pa na u ulur të tjerë në prehër. Kjo do ndihmojë shumë, patjetër. Jam i bindur që aq sa është e vështirë aq bëhet e thjeshtë nëse jemi bashkë”, tha Rama.
Ne duhet të garantojmë, tha Rama, që reagimi i qytetarit të dëgjohet deri në nivelin më të lartë. Për këtë, theksoi ai, do të vendoset në çdo institucion një strukturë e posaçme për të garantuar këtë bashkëqeverisje.
“Shteti është i çdo qytetarit dhe kur ai kërkon një shërbim nga shteti ai duhet të ja ofrojë kudo që ai ndodhet dhe i çfarëdo niveli shoqëror të jetë”, tha Rama.