“Po më vdes gruaja nga kanceri, spitali më thotë të shkoj ta blej ilaçin në farmaci”

Sociale

Gruaja i dergjet në shtrat dhe i ka ditët e numëruara. Por institucionet i thonë ta blejë vetë ilaçin ku të mundet nëpër farmaci. Ia kanë bllokuar edhe numrin e celularit që të mos i bezdisë më edhe pse ai u kërkon ndihmë. Të gjitha përpjekjet e bashkëshortit shkuan dëm. Dhe ai mes dëshpërimesh, me buzën që i dridhet, i është drejtuar medies, shansit të fundit për të shpëtuar më të dashurën e tij. Quhet Çlirim Zekthi.

Banon në lagjen Shën Koll në Elbasan. Bashkëshortja, Majlinda, 30 vjeçe, nënë e një fëmije, është diagnostikuar me kancer. Lajmi i ka tronditur shumë. Por shpresa dhe shkenca nganjëherë bëjnë mrekullinë. Në duar mban gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe kartelën shëndetësore që vërteton sëmundjen e rëndë. Spitali onkologjik në Tiranë i është përgjigjur vetëm muajin e parë. Nevojitën edhe 6 të tjerë që të përfundojë terapia e kombinuar me rreze dhe ilaçe citostatikë. Por gjithçka është fikur që në muajin e dytë.

Çlirimi tregon: Bashkëshortja është e shtrirë në shtrat. I shërbej sikur të ishte një fëmijë. Muajin e parë na pritën mirë, por të dytin nisën të na sorollatin. Dërgova gruan për të marrë seancën e radhës. E mbajtën dy orë në krevat dhe pastaj më thanë, nuk kemi ilaç, shko blije vetë në farmaci. Ilaçi kushton 500 Euro. Ne jemi të varfër. Unë jam i papunë ndërsa gruaja merr vetëm 100 mijë lekë të vjetra kemp. Ku të shkoj. Askush nuk më ndihmon. Ajo ka një sëmundje të rëndë që nuk pret. Nuk mund ta shtysh përparon me shpejtësi. Ka dy muaj që i është ndërprerë ilaçi. Kam kërkuar spitalit, por më thonë nuk kemi edhe pse është ilaç që rimbursohet nga shteti dhe ata me kancer duhet ta marrin falas të gjithë. I bie telefonit të spitalit, të drejtorisë por ma mbyllin. Tani ma kanë bllokuar fare. Edhe sikur ta nis për në Tiranë është e kotë. Ata nuk bëjnë asgjë. Kështu më lanë dhe radhën e kaluar. Nuk di çfarë të bëj. Askush nuk do t’ia dijë.

Burri shprehet se nuk çfarë mund të bëjë vetëm të shpëtojë jetën e bashkëshortes së tij. “Unë besoja në shtet dhe për më tepër për një rast të tillë. Dua ti shpëtoj jetën gruas. Mjekët më thanë se ka shanse nëse bën rreze dhe kimioterapinë. Por tani jam kaq i pafuqishëm dhe ajo më dhimbset sepse rri në shtrat e pret ndihmë. I bëj apel spitalit, ministrit, kryeministrit. Fundja fare të respektojnë ligjin, se për humanizëm këta qenkan të pashpirt”. Burri largohet me dhimbjen që i pikon në zemër. Bashkëshortja mban sytë nga dera me shpresën se ai po i sjell ilaçin e munguar, që edhe mund ta mbajë në jetë dhe të rrisë fëmijë.  F. Salliu/Shekulli/