Pse Rama nuk e pranon më paketën McAllister?

Kryesore Opinion

Endri Xhafo  /  Nuk kuptoj pse vazhdon akoma bëhet kjo pyetje, kur gjërat janë shumë të qarta! Që nga koha kur David McAllister erdhi në Tiranë, Rama:

1) zgjidhi ekuacionin LSI, duke e “degdisur” Metën në Presidencë, por duke siguruar pjesëmarrjen e LSI-së në zgjedhje;

2) siguroi pohimet e komunitetit ndërkombëtar, – fillimisht Gjermani, pastaj OSBE, pastaj vetë BE nëpërmjet Hahn, e tani edhe SHBA, – se zgjedhjet e 18 qershorit do të njihen si legjitime, pavarësisht bojkotit të opozitës!

Përfundimi:

1) Rama nuk është i detyruar të bëjë koalicione paszgjedhore politikisht dhe financiarisht “të kushtetueshme” për PS-në, dhe

2) Rama, që nga shtatori, vetting-un mund ta bëjë si të dojë me të ashtuquajturën “opozitë të emëruar”!

Cilat forca politike dalin të humbura nga kjo?

1) Në afat të shkurtër vetë PD, sepse të qenit jashtë parlamentit ka si kosto politike, po aq edhe financiare (shumë kryetarë degësh kanë vetëfinancuar aksionet e ndryshme, me shpresën se do të bëheshin deputetë, duke shpresuar kthim mbrapsht të investimit politiko-financiar; PD thotë se në afatgjatë do të fitojë demokracia dhe shpreson që qeveria nuk do të mund të qeverisë në kushtet e një bojkoti dhe mosbindje civile); pa folur edhe për ligji e vetting-ut që PD thotë se është bërë keq, në çdo rast pa konsensusin e saj, por që ajo do ta ketë të pamundur ta ndryshojë në vijim;

2) LSI, e cila faktorizohet vetëm nga pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje!

Cilat forca politike dalin të fituara?

1) Partitë e vogla jashtë kampit opozitar, të cilat, nga mungesa e PD-së, shpresojnë të nxjerrin ndonjë deputet, pavarësisht se ky sistem zgjedhor favorizon në fakt koalicionet, por gjithsesi, duke qenë se askush nuk do të prezantohet në koalicion, ekziston ndoshta mundësia të marrin mjaftueshëm vota në qarqet e mëdha për të nxjerrë ndonjë deputet;

2) vetë PS, për arsyet që përmendëm më sipër.

Për këto arsye, që janë kaq të qarta, Rama nuk pranon më atë ishte gati të pranonte 1 muaj më parë! Të gjithë argumentat e tjerë, se ligji nuk e lejon, se s’ka kohë për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, etj.etj., i ka shpjeguar shumë qartë Oerd Bylykbashi sot, ndaj s’kam ndërmend të ndalem.