“Qeveria e Besimit”, aleatët e PS-së në kërkim të tryezës me Bashën

Politika

Nga Erneta Shevroja

“Qeveria e Besimit” e propozuar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka trazuar ujërat në koalicionin e majtë. Një ditë pasi kryeministri Edi Rama dha një përgjigje refuzuese për propozimin e Ilir Metës për “Qeverinë e Besimit”, si propozim për t’i dhënë fund krizës së thellë politike në prag të zgjedhjeve, lëvizjet në Kryeministri zgjatën pothuajse gjithë ditën e djeshme. Kryeministri Rama dy ditë më parë, në reagimin për “Qeverinë e Besimit” e propozuar prej aleatit të tij, tha se është i gatshëm i dialogojë me opozitën, por duke shtuar se respekton Kushtetutën dhe se do të vijojë mandatin deri në fund. Një deklaratë e tillë nga Rama mesa duket është interpretuar si refuzim nga ana e tij për t’i hapur rrugë një qeverie të re të besimit që do të rikthente opozitën në Parlament. Opsioni i parë i shtruar në tryezë është vendosja e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës, specifikisht mes Ramës dhe Bashës. Ndërsa dy liderët janë prononcuar në distancë për dialogun, dje për këtë qëllim është angazhuar sërish Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PDIU, e cila ka afruar edhe një platformë për t’i dhënë fund krizës politike, e krijuar prej më shumë se një muaj. Edi Rama ka zhvilluar dje disa negociata me aleatët e tij. Fillimisht ai është takuar me Ilir Metën në Kryesinë e Kuvendit dhe pak më vonë ka pritur në zyrën në Kryeministri, Petrit Vasilin, disa përfaqësues të Partisë Socialiste dhe në orët e pasdites aleatin Shpëtim Idrizi, i cili është shprehur i gatshëm të ndërmjetësojë një tryezë negociatash. Fillimisht LSI-ja dhe më pas PDIU janë duke i kërkuar kryeministrit Rama që t’i afrojë opozitës garancitë se zgjedhjet nuk do të manipulohen. Vetë Idrizi ka thënë se PDIU nuk hynë në zgjedhje pa opozitën.

Lëvizjet

Pas darkës së të dielës tek Pazari i Ri dhe propozimit të “Qeverisë së Besimit” të hënën, Rama dhe Meta nuk patën një takim. Vetë Meta ka mohuar që të jetë konsultuar me Ramën për propozimin së hënës për “Qeverinë e Besimit”, duke thënë se ishte vendim ekskluziv i Kryesisë së LSI-së. Ky propozim mendohet të jetë diskutuar dje në një takim që Rama dhe Meta patën në Kryesinë e Kuvendit për rreth 90 minuta. Dy liderët e së majtës nuk pranuan të prononcohen për mediat pas përfundimit të takimit por mendohet se tema e diskutimit mes tyre

të ketë qenë situata e rënduar politike dhe rrugët për të dalë nga kriza. Pas takimit kokë me kokë, Rama dhe Meta zhvilluan takime me të besuarit e tyre. Ilir Meta u takua me ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili në Kuvend, ndërsa Rama me Gramoz Ruçin, Erion Veliajn, Saimir Tahirin, Ditmir Bushatin dhe Arben Ahmetajn. Pas përfundimit të takimeve të ndara, në lojë u fut vetëm Perit Vasili, si negociator. Ministri i Drejtësisë pas takimit me Metën iu drejtua Kryeministrisë, përballë së cilës është çadra e opozitës. Negociatori Vasili mendohet t’ia ketë përcjellë Ramës bisedën e mëparshme të tij me Metën. Takimi mes Ramës dhe Vasilit zgjati 40 minuta dhe më pas negociatori iu drejtua sërish Kuvendit, ku disa minuta më vonë doli me kreun  LSI-së, Ilir Meta.

Takimi me Idrizin dhe 7 pikat

Rama nuk ka gjetur mbështetje as nga aleati i më mbështetës pasi kaloi nga koalicioni i djathtë në atë të majtë para zgjedhjeve lokale të 2015. Shpëtim Idrizi ashtu si LSI-ja ka deklaruar se, zgjedhjet duhet të mbahen me opozitën dhe për këtë ai ka publikuar një platformë që përfshin edhe diskutimet për ligjin zgjedhor. Partitë e koalicionit të majtë kanë refuzuar qëndrimin e Edi Ramës që ka thënë se do të futet në zgjedhje pa opozitën. Mendohet se Rama dhe Idrizi kanë folur pikërisht për këtë platformë me 7 pika që ka afruar në tavolinë kryetari i PDIU-së dhe që është përshëndetur edhe nga Ilir Meta. Kreu i PDIU ka propozuar kthimin e opozitës në Parlament për të votuar ligjet e reformës në drejtësi, garantimin e rolit të paanshëm të policisë në zgjedhje, ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional zgjedhor me një zonë zgjedhore, depolitizimin e komisionerëve në qendrat e votimit dhe numërimit, krijimi i një task-force prokurorësh pranë KQZ për të hetuar çdo rast të blerjes së votës, krijimin e një grupi teknik për të parë mundësitë e votimit dhe numërimit elektronik dhe pika e fundit, thirrja e një tryeze të gjerë me kryetarët e partive parlamentare për propozimin dhe miratimin me konsensus të gjerë të emrit të Presidentit të ri të Republikës. Ditët në vijim janë vendimtare për zgjedhjet. Data 10 prill është afati i fundit kur partitë duhet të paraqesin kërkesat për regjistrimin në zgjedhjet në datën 18 qershor. Në tryezë është edhe një alternativ tjetër; ajo e shtyrjes së zgjedhjeve me qëllim bërjen e një reforme zgjedhore dhe implementimin e saj.

“Zgjidhja” mbështet PDIU-në 

Lëvizja “Zgjidhja” i konsideron propozimet e PDIU-së për zgjidhjen e krizës si konstruktive dhe kontribut të vlefshëm për zgjidhjen e krizës politike në vend. Në reagim, lëvizja “Zgjidhja” thotë se qëndrimi i saj është se, reforma zgjedhore është mbi reformat e tjera dhe nëpërmjet asaj të sigurohen zgjedhjet me standarde. “Lëvizja “Zgjidhja” paralajmëroi qysh në fillim të kësaj krize se reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave, se ajo është e pashmangshme dhe duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të garantojë standardet e vendeve të civilizuara të Evropës për zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme”, thuhet në reagim. Për të bërë të mundur bërjen e reformës zgjedhore, lëvizja “Zgjidhja” i ka propozuar Asamblesë dhe Kongresit të Partisë Socialiste shtyrjen e datës së zgjedhjeve në një datë në muajt e vjeshtës.  “Zgjidhja” i ka propozuar Asamblesë dhe Kongresit të PS-së shtyrjen e datës së zgjedhjeve të 18 qershorit për në vjeshtë dhe krijimin e një qeverie të shumicës së majtë që u jep besim forcave politike dhe qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, thuhet në reagim.