Qeveria shqiptare nuk po përmbush angazhimin për të mos krijuar detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktorëve të saj, teksa shihet se vetëm në 10 muaj, janar-31 tetor 2016, borxhi i akumuluar arriti ne 3.3 miliardë lekë ose 24 milionë euro.
Më shumë se 75 për qind të këtyre detyrimeve i përkasin kontratave të papaguara në rrugë. Megjithatë borxhi i prapambetur mund të jetë edhe më i lartë pasi në monitorim për detyrimet e krijuara rishtas janë vetëm 16 ente publike, teksa qindra të tjera që kryejnë shpenzime nuk janë përfshirë në raportim.
Ministria e Transportit dhe infrastrukturës raportoi që detyrimet për periudhën nga janar -31 tetor 2016 janë në vlerën 2 533.5 milion lekë, të krijuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), për 10 mujorin e vitit 2016 deklaron detyrime të krijuara rishtas në vlerën 1 817.3 milion lekë për:
1-Kontrata studime projektime dhe oponencë, në vlerën 82.2 milion lekë, që kanë ardhur si pasojë e mos planifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2016 nga ARRSH.
2-Kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 811.8 milion lekë, janë kontrata shumëvjeçare dhe buxhet i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.
3-Supervizione punimesh, në vlerën 23.5 milion lekë, kanë lidhje me kontratat e ndërtimit.
4-TVSH dhe kosto lokale, në vlerën 86.2 milion lekë.
5-Vendime gjyqësore – në vlerën 139.2 milion lekë.
6-Sinjalistika dhe të tjera – në vlerën 223.2 milion lekë.
7-Kontrata mirëmbajtjeje – në vlerën 451.2 milion lekë.
8-Ujësjellës Kanalizime, për 10 mujorin e vitit 2016 deklaron detyrime të krijuara rishtazi në vlerën 716.2 milion lekë:
9-Për projektet me financim të huaj që ka të bëjë me pagesat të rimbursimit të TVSH-së dhe Kosto Lokale, 338.3 milion lekë.
10-Për projektet me financim të brendshëm kryesisht në objektet për furnizimin me ujë të plazheve Durrës – Kavajë, 377.9 milion lekë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka raportuar 19.9 milion lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë në disa institucione.
Ministria e Drejtësisë raporton që detyrimet për periudhën nga 01.01.2016 – 31.10.2016, janë në vlerën 201.1 milion lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë të ndara sipas institucioneve si më poshtë:
Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave – 169.2 milion lekë që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Nga AKKP është ngritur problemi për pamjaftueshmëri fondesh.
Mjekësia Ligjore raportoi 5.2 milion lekë detyrime. Aparati i Ministrisë së Drejtësisë ka raportuar 21.7 milion lekë detyrime që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Ministria e Shëndetësisë raportoi që detyrime të prapambetura për periudhën në vlerën 26.3 milion lekë, ndërsa ministria Bujqësisë 28 milion lekë.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes raporton që detyrime 278.5 milion lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë në disa institucione.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë raporton që detyrime në vlerën 54.1 milion lekë.
Burimi: Ministria e Financave