RUSI – Gorbaçov: Putin dhe Trump të gjejnë gjuhën e përbashkët

Bota

MOSKË, 8 gusht  – Ish-presidenti dhe udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov deklaroi se lideri amerikan, Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin duhet të gjejnë konsensusin sa nuk është vonë.

”Rekomandimi im për dy liderët është që mos krijojnë panik dhe të mos frikësojnë njëri-tjetrin”, theksoi Gorbaçov për Anadolu Agency (AA).

Ai foli për tensionet diplomatike mes SHBA-së dhe Rusisë që kohët e fundit kanë njohur sërish rritje.

“Në periudhën kur erdha në detyrë marrëdhëniet mes dy vendeve ishin vetëm akuza dhe polemika reciproke”, është shprehur Gorbaçov duke shpjeguar se përafërsisht 40 vite para se të rrëzonte murin e Luftës së Ftohtë ka qenë i ekspozuar ndaj debatit jodiplomatik.

Duke tërhequr vëmendjen se në diplomaci ka një rëndësi të madhe mosrefuzimi i hapave kundrejt rregullimit të marrëdhënieve dhe durimit, Gorbaçov tha se “fillimisht ish-presidenti amerikan Ronald Reagan më vështronte me një ndjenjë superioriteti. Por unë i thashë se ai nuk ishte mësuesi im. Kjo ishte një shprehje që e dobësoi palën përballë”.

“Dikur, për shkak të situatës shkatërruese në politikë ne me amerikanët kishim arritur në pragun e një lufte nukleare. Një luftë e tillë do të shkatërronte çdo gjë mbi tokë. Por, për fat të mirë liderët e dy vendeve arritën të ndërgjegjësoheshin për rrezikun e madh që nisi të formohej me armatosjen nukleare”, thotë ai.

Pasi ka theksuar se edhe në situatën më të vështirë politike duhet të realizohen vazhdimisht takime të ndërsjella dhe duhet të kërkohen dyer të hapura për dialog, Gorbaçov, është shprehur se “liderët amerikanë dhe rusë duhet të drejtohen drejt rrugës së konsensusit pa qenë vonë. Rekomandimi im për dy liderët është që të mos krijojnë panik dhe të mos frikësojnë njëri-tjetrin”.