Blendi FEVZIU / Mjaftoi një postim në Twitter i Kryeministrit Rama që administrata shtetërore shqiptare të mësojë se ditën e hënë, në datë 25 Korrik do të jetë një ditë pushimi. Nuk është dëgjuar deri më sot, që një postim në rrjetet sociale të ketë vlerën e një vendimi zyrtar shtetëror.
Kryeministri nuk sqaronte as cili organ e merrte këtë vendim, as me çfarë numër shkrese dhe protokolli, por sqaronte se dita e pushimit, ishte njëkohësisht një ditë feste për kalimin e Reformës në Drejtësi!
Padyshim që Reforma në Drejtësi ishte një moment i rëndësishëm për politikën shqiptare. Shpresohet që të jetë një moment kthese në shtetin e së drejtës dhe në respektimin e ligjit. Por nëse Kryeministri ishte kaq entuziast për këtë, ai mund të ftonte kë të donte dhe të festonte në Kryeministri, në shesh, në ndonjë lokal apo po të donte dhe në shtëpi. Ai mund të festonte me partinë e tij, me partinë e Ilir Metës e po të donte edhe me Lulzim Bashën, meqë reforma kaloi me 140 vota, por Kreu i qeverisë nuk mund të merrte një vendim personal, qe implikon administratën dhe vështirëson jetën e të gjithë shqiptarëve.
Thënë ndryshe, të hënën asnjë shqiptar nuk mund të trokasë në dyert e administratës për të zgjidhur problemet e përditshme. Do jenë mbyllur zyrat e gjendjes civile, do jenë mbyllur zyrat që japin pasaportat, do jenë mbyllur hipotekat, do jenë mbyllur zyrat e pensioneve dhe ato të pagesave të tjera.
Do jenë të gjithë në plazh, duke festuar Reformën në Drejtësi dhe duke i kushtuar shtetit, me thjeshtë një Twitter të Kryeministrit disa miliona euro. Veç problemeve që do ndeshin qytetarët, postimi i Kryeministrit do t’i sjellë vendit edhe një kosto prej disa miliona eurosh.
Nëse i referohesh fondit të pagave dhe sigurimeve shoqërore për administratën shtetërore qendrore ai është 5.8 miliard leke ne muaj. Duke e pjesëtuar me 22 ditë pune, i bie që shteti paguan për administratën 2.6 milion euro në ditë. Dhe kjo vetëm qendrorja.
Po t’i shtosh edhe gjysmën e kësaj që paguhet për administratën lokale, i bie që Qeveria të paguajë nga paratë e taksapaguesve plot, 4 milion euro vetëm paga, për një punë të pakryer. Ky është një dëm i pastër ekonomik pasi me një urdhër administrativ dilet mbi detyrimet ligjore kontraktuale të marrëdhënies punëmarrës-punëdhënës.
Një marrëdhënie që përcakton se për të përfituar pagë, duhet të ofrosh shërbimet e përcaktuara në kontratë. Këto shërbime tashmë janë anuluar me Twitter dhe shqiptarët do paguajnë disa milionë euro sepse Kryeministri ka vendosur të festojë.
Nëse Kontrolli i Lartë i Shtetit do të kërkonte një shkelje të pastër dhe një dëm ekonomik të mirëfilltë mund ta niste këtu.
Dhe e fundit, shteti nuk është një çiflig privat që punon kur do pronari dhe pushon kur ai nuk ka me qejf. Në shtet marrëdhëniet e punës i përcakton Kushtetuta, Kodi i Punës dhe shumë ligje të tjera dhe jo humori i kujtdo qoftë.
Ndaj të hënën do të jemi pushim, sepse kështu na u tha në Twitter dhe do të punojnë vetëm deputetët, pikërisht ata që votuan Reformën në drejtësi dhe që me sa duket, nuk varen dot nga Twitteri i Kryeministrit! /Opionion.al/