Prof. Doc. Fane Stefan Tarifa / Në vorbullën e pështjellimit politik shqipëtar, në tymnajën dhe rrjetën hijezezë që kanë konfiguruar “ të shtrenjtët politikanët tanë” të të dy krahëve, as inteligjenca e shëndoshë, as ajo artificiale, as modestia politike e ndërhyrjeve Euroatllantike, nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje të domosdoshme dhe të pranueshme.
Gjithkush me një logjikë elementare pyet se përse?
Vrehet se në qendrimet e të dy palëve ka të ndërthurur një lloj ekstremizmi, një lloj qëndrimi tejet sektar edhe shpesh edhe stoicizëm.
Çdo lloj ekstremizmi, i djathtë apo i majtë qoftë, është njëherësh i dëmshëm, është kundër interesave të vendit dhe të mbarë popullit e më gjere mbase edhe të të gjithë bashkombasve.
Sektarizmi i çon gjërat në skaje të atilla, që edhe një mendim i rëndomtë nuk do ta pranonte.
Sektarizmi frenon zhvillimin dhe fsheh të vërtetën, mbulon paaftësinë dhe frigohet nga proçesi i zhvillimit. Të tilla deri në mungesë logjike janë qendrimet e dy palëve politike që lëshimin, tolerancën, kompromisin e ndjejnë si dobësi dhe jo si fitore.
Edhe qëndrimet stoike pa logjike gjithëpërfshirëse, pa horizont të thellë perspektive, por me një këmbëngulje të skajëshme dhe ultimative, janë më tepër si shfaqje kapriçioze të njeriut të tulatur nga frika e së vërtetës dhe të kapur verbërisht, mbas atyre argumenteve që i tjerrin vazhdimisht me të njëjtin ritëm e arsye.
Me keqardhje, por si nga opozita ashtu dhe nga pozita po bëhet i njëjti gabim, qëndrohet në po ato pozicione pa ekuilibër politik, pa imagjinatë kompromisi, por vetëm me sëmundjen kryeneçe se vetëm ata kanë të drejtë dhe pala tjetër duhet patjetër të bëjë si thotë njera.
Kjo nga njera anë është papjekuri politike, është sëmundje e mëndjëmadhësisë politike, është individualizëm ekstrem, është largim nga interesat mbarëpopullore.
Nga cilado anë që të shfaqen këto dukuri i bëjnë dëm vendit dhe frenojnë procesin e zhvillimit, prandaj të nderuar politikanë vërini gishtin kokës dhe bëjini thirrje arsyes së shëndoshë sa nuk është vonë, sepse historia do jetë ajo qe do t’ju gjykojë në të ardhmen.