Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord të mërkurën të punojnë së bashku për një hetim ndërkombëtar rreth një sulmi sirian me armë kimike javën e kaluar, i cili u bë shkak për kundërpërgjigjen amerikane me raketa.
Uashingtoni ia hedh fajin për sulmin presidentit sirian Bashar Assad, aleat i Rusisë, ndërsa Moska thotë se përgjegjës janë kryengritësit sirianë. Pas një ditë bisedimesh në Moskë me Sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, tha se dy ish-armiqtë e Luftës së Ftohtë ranë dakord për nevojën e një hetimi të OKB-së rreth ngjarjeve të 4 prillit në veri të Sirisë.
Më shumë se 80 njerëz u vranë në atë që SHBA e përshkruajnë si një sulm me gaz nervor të ndërmarrë pa dyshim nga forcat e Asadit. Rusia thotë se ishin kryengritësit që shpërndarë një lëndë kimike, version të cilin administrata e Presidentit Trump e quan fushatë keqinformimi. Konferenca e përbashkët e shtypit e dy kryediplomatëve u zhvillua pas një takimi prej dy orësh që presidenti rus Vladimir Putin pati me Tillerson. Palët shqyrtuan rrugët për të shpëtuar marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha ushtarake të botës.
Ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale amerikane për të cilën akuzohet Rusia ishte gjithashtu një temë në takimin e parë të drejtpërdrejtë mes Presidentit Putin dhe Sekretarit Tillerson. “Mes dy vendeve tona ka një nivel të ulët besimi”, tha Tillerson. Ai tha se do të krijohen grupe pune për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe për të identifikuar problemet. Tillerson tha gjithashtu se dy palët do të diskutojnë edhe mbi mosmarrëveshjet në Siri dhe mënyrën se si t’i japin fund luftës civile gjashtë-vjeçare të vendit. Takimi Putin-Tillerson u konfirmua zyrtarisht vetëm në minutën e fundit, pas shumë ditë spekulimesh nëse presidenti rus do ta priste apo jo Sekretarin amerikan të Shtetit. Vendimi i zotit Putin për të pritur Sekretarin Tillerson sinjalizonte synimin e Moskës për të ruajtur komunikimin me SHBA, megjithë tonet gjithnjë e më të larta të akuzave që dy vendet i kanë drejtuar njëri-tjetrit.
Nga ana tjetër Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen më tej në Siri pavarësisht nga goditja me raketa që ai urdhëroi javën e kaluar kundër bazës ajrore siriane, nga e cila besohet se u ndërmor sulmi me armë kimike që vrau dhjetëra civilë, përfshirë fëmijë. “Ne nuk do të hyjmë në Siri,” i tha Trump gazetares së programit Fox Business News, Maria Bartiromo, në një intervistë që do të transmetohet të mërkurën.
Trump tha se vendosi të japë urdhër për goditjen me raketa pasi kishte parë imazhet e fëmijëve të vdekur nga sulmi kimik në qytetin sirian Khan Sheikhoun. “Kur e pashë këtë, mendova se duhet të bënim diçka”, tha Trump.
Presidenti Trump paralajmëroi se mbështetja e presidentit rus Vladimir Putin për presidentin sirian Bashar al-Assad, është “diçka shumë negative për Rusinë dhe për njerëzimin.” Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë pretendimet ruse se çlirimi i gazit nervor sarin, ishte rezultat i paqëllimshëm i një sulmi ajror të qeverisë siriane ndaj një depoje municionesh që mbahej nga kryengritësit. Sipas zyrtarëve amerikanë, sulmi me armë kimike kundër civilëve ishte i qëllimshëm.