Shërim përmes lirisë pozitive, kjo na duhet ne shqiptarëve

Aktualitet Opinion

Nga Azem Parllaku /

Azem Parllaku

Frika dhe interesi, janë dy forca që i bashkojnë njerëzit. Qytetarët e Shqipërisë, janë vetë ata që vendosin se, cili është interesi i tyre. Nëse mendojnë se sundon padrejtësia, varfëria dhe krimi, atëherë me votën e lirë duhet t’a çrrënjosin këtë sundim.

Ndërsa sa për frikën ajo është e kaluar, shqiptarët përfundimisht e kanë të qartë, se qeveria është ajo që duhet të ketë frikë nga qytetarët, e jo qytetarët nga qeveria. Demokracia në shpirtin e saj përmban edhe institucionalizimin e së drejtës në rezistencë, ndaj e drejta e popullit për revolucion është e ligjshme. Të drejtë të popullit që t’a ndërrojë, apo t’a braktisë cilëndo formë të qeverisjes dhe të themelojë një model të ri të shtetit, përkatësisht të përmbysjes së një shteti apo pushteti në mënyrë legjitime ka shumë në historinë politike.

Por, në çfarë falsifikimi dhe thjeshtësie të rrallë jeton qenia shqiptare?

Ende deri sot shqiptarët nuk po mundin të kuptojnë “mrekullinë” e mashtrimeve dhe gënjeshtrave të politikës qeverisëse të asaj dje, e asaj sot. Njëlloj i kanë qasjet. Për fatin e keq të qytetarëve, politikanët i kanë dhënë vetes dhe ndjenjave të tyre, një leje dhe një lakmi “hyjnore”, për të bërë çfarë duan në kurriz të popullit. Ky guxim i shfrenuar, ka bërë që, shqiptarët të konsiderohen si një popull i lindur për të qenë skllav, teksa nga ana tjetër pushtetarët identifikohen me mbiemrat; i korruptuar, i dhunshëm, dinakë, grabitqarë, etj, duke ia vënë vulën e turpit emrit Shqipëri.

Për ta përshkruar qeverisjen që shqiptarët kanë provuar e provojnë, i’a vlen thënia e politikanit të njohur romak Marcus Tullius Cicero i cili thotë: “Një komb mund t’i mbijetojë budallenjëve të vetë, madje edhe ambiciozëve, por ai nuk mund t’i mbijetojë tradhëtisë nga brenda. Një armik para portave është më pak i frikshëm, sepse ai njihet dhe haptazi e mban flamurin e vet, por tradhëtari lëviz lirshëm brenda portave, sepse tradhëtari nuk paraqitet si tradhëtar; ai u flet viktimave të tij me theks familjar, ka fytyrë dhe argumente dhe i bën thirrje poshtërsisë, e cila qëndron thellë brenda zemrës së secilit njeri. Ai e kalb shpirtin e një kombi, punon natën tinëzisht dhe i padukur për t’i  minuar shtyllat e qytetit dhe e infekton trupin politik, në mënyrë që ai të mos mund të rezistojë më. Këtij duhet t’i  frikësoheni më shumë se sa një vrasësi”.

Tani, në këtë gjendje të turbullt padyshim, shqiptarëve u nevojitet shërimi përmes lirisë pozitive, që nënkupton, lirinë jo në vetvete, jo shkatërruese, por “lirinë për diçka”, duke kaluar nga gjendja “të posedojmë” në gjendjen “të jemi”. Kjo gjendje, që për popujt dhe vendet tjera të botës perëndimore, shpesh herë ishte edhe vetë “ferri” i emancipimit, por, edhe caku i asaj që shquhet dhe identifikohet si shoqëri e shëndoshë, ku arsimi, shëndetësia, mediat, politika, kultura, etj, rrezatojnë liri pozitive, liri kreative kulturore. Ky tip lirie, nuk është “produkt”, që mund të importohet, sikurse çdo mall tjetër në tregun e jashtëm masiv. Ky tip lirie, as nuk mund të konsumohet, ashtu siç po mendojnë elitat aktuale politike kulturore, as nuk mund të amputohet sikurse; veshja, ushqimi, etj, nga të tjerët.

Ndryshe, ne edhe më tej do mbesim “shoqëri periferike”, ashtu siç ishin “testuar” historikisht gjeneratat tona të mëhershme. Pra, na nevojitet kurajë, së pari individuale, e më pastaj edhe komunitare, në mënyrë që të fillojmë ndërtimin e asaj që shquhet si “liçencë” personale identitare. Duhet gjurmuar edhe në “binarë” të identifikimit tonë me të tjerët, në vend që të tjerët të identifikohen me neve.

Dhe atë, jo si individualistë, gjë që edhe jemi të shquar, nëpër gjithë historinë tonë të qenësimit, por, si komunitet, e kolektivitet kombëtar e shtetëror, që dinë dhe mund të organizohet si organizatë; sociale, politike, ekonomike, kulturore, e pse jo edhe ushtarake. Vetëm kështu të organizuar dhe të mobilizuar, mund të dëshmojmë se e meritojmë të futemi në konkurrencë lojale me kombet dhe shtetet tjera përrreth neve. Dhe imponohemi si komb e si shtet, që përveç gatishmërisë për të menaxhuar veten e vet, dinë edhe të ndërtojë karizma dhe respekt te të tjerët.