Sevilje: Një familje prej katër anëtarësh vdiqën nga shpërthimi i baterisë së celularit që po karikohej .
Shërbimi Zjarrfikës ka konfirmuar se shpërthimi i një baterie celulare që po karikohej ishte shkaku i tragjedisë që ndodhi të dielën e kaluar në Guijena të Seviljes.
Ngjarja shkaktoi një zjarr që i mori jetën një familjeje prej katër anëtarësh, një çifti dhe dy fëmijët e tyre, 16 dhe 20 vjeç.
Sipas hetimeve, celulari po karikohej në katin e poshtëm, kur bateria shpërtheu. Fqinjët e zonës shprehën dhimbjen e tyre për humbjen tragjike. “Fshati është shokuar nga ngjarja tragjike. Ata ishin një familje e mrekullueshme”, tha një banore e Guijena, e cila thirri zjarrfikësin.
Dëshmitë thonë se djali i madh i familjes, i cili kishte dalë natën me miqtë, ishte i pari që e vuri re zjarrin kur u kthye në shtëpi. Pa menduar, ai hyri në shtëpinë e djegur duke u përpjekur të shpëtonte prindërit dhe vëllain e tij.
Një fqinje dhe një mikeshë e familjes, shpjeguan se zjarri filloi në katin e parë, ndërsa pjesa tjetër e familjes flinte lart. Hekurat në dritare e vështirësonin arratisjen. “Kur keni një shtëpi, mendoni se si të mbroni veten nga hajdutët, jo nga zjarri”, tha ajo.
Fqinjët e tjerë e përshkruan shtëpinë si “ferr” gjatë zjarrit, me përpjekjet e tyre për të përdorur aparatet e zjarrit që rezultuan të kota. Një fqinj i familjes, përshkroi momentin kur hapi derën e shtëpisë së tij dhe pa “një shtëllungë të madhe tymi”. Ai tha se fqinjët sollën mjete nga shtëpitë e tyre në përpjekje për të hapur dyert dhe për të ndihmuar, por fatkeqësisht ata nuk ishin në gjendje të parandalonin tragjedinë.
Burimi: El Mundo