Ndërsa shqiptarët po tentojnë që të kërkojnë azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian, janë irakianët dhe sirianët ata që po kërkojnë azil në Shqipëri.
INSTAT raportoi se në 2019 rezultojnë 6.557 azilkërkues në Shqipëri, duke pësuar rritje me 49,5 %, krahasuar me 2018.
Azilkërkuesit me origjinë nga Iraku dhe Siria zënë 62,4 % të azilkërkuesve gjithsej në 2019 dhe rezultojnë 2.408 azilkërkues nga Iraku dhe 1.682 azilkërkues nga Siria.
Në 2019 rezultojnë 485 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rritje me 40,6 %, krahasuar me vitin 2018.
Gjatë vitit 2019 rezultojnë të jenë 741 persona, të cilët kanë humbur shtetësinë shqiptare, duke pësuar rritje me 15,8 %, krahasuar me vitin 2018.
Azilkërkuesit në Shqipëri
Azilkërkuesit në Shqipëri, referuar Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, rezultojnë 6.557 persona në 2019.
Duke analizuar vendin e origjinës së azilkërkuesve, në 2019 kuptojmë se shumicën e rasteve e përbëjnë ato me origjinë nga Iraku me 2.408 azilkërkues, Siria me 1.682 azilkërkues, Maroku me 576 azilkërkues, Algjeria me 499 azilkërkues, Pakistani me 275 azilkërkues dhe nga Afganistani me 269 azilkërkues.
Po të analizojmë të dhënat sipas gjinisë, vëmë re se numri i azilkërkuesve femra në 2019 është 5.266, ndërsa i meshkujve është 1.229. Vihet re një dominim i femrave në numrin e azilkërkuesve në Shqipëri për 2019 me 80,3 % të numrit gjithsej të azilkërkuesve, referon INSTAT.
Duke parë kërkesat për azil sipas muajve, kuptojmë se piku i aplikimeve ka qenë në muajt Shtator-Nëntor, të cilët përbëjnë 39,2 % të azilkërkuesve gjithsej.
Gjatë 2019 rezultojnë 24 vendime pozitive për dhënie të statusit të refugjatit dhe statusit të mbrojtjes plotësuese për azilkërkuesit, dhe pjesën më të madhe e zënë shtetasit nga Iraku dhe Siria.
Rritet dhe marrja dhe lënia e shtetësisë Shqiptare
Në 2019 rezultojnë 485 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rritje me 40,6 %, krahasuar me vitin 2018.
Në 2019, rezultojnë 741 persona të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, duke pësuar rritje me 15,8 %, krahasuar me vitin 2018./ Monitor