Gjendja debitorë e enteve shtetërore ndaj kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë po rritet me shpejtësi, duke dhënë një shembull negativ në popullatën e gjerë, e cila përballet me dënime të rënda (shkëputje e energjisë deri në burg) në rast se nuk paguan ose abuzon.
Që nga vitin 2013 kur detyrimet e shtetit ndaj OSHEE-së kulmuan, borxhi në katër mujorin e parë te vitit 2022 arriti kulme të reja, në 22, 1 miliardë lekë ose 183 milionë euro. Në vetëm katër muaj detyrimet e shtetit ndaj OSHEE-së u rriten me 8.3%, ndërsa që nga viti 2013 këto detyrime u zgjeruan me 149 % ose me 2.4 herë.
Rritjen më të madhe të detyrimeve e krijuan institucionet jo-buxhetore, të cilat përfaqësohen nga ndërmarrjet e ujësjellësit. Këto ente krijuan stok detyrimesh nga OSHEE-së 17.1 miliardë lekë 142 milionë euro me zgjerim 9.4% në krahasim me fundit e vitit. Por në rritje të shpejtë është edhe borxhi i administratës shtetërore, i cili arriti në rreth 5 miliardë lekë në fund të prillit 2022 me zgjerim 4.6% në raport me fundin e vitit.
Qytetarët shqiptarë paguajnë fatura të larta të energjisë elektrikë, por siç duket ato do të rëndohen gjatë viteve në vijim, pasi borxhet e shtetit do të shlyhen më shumë gjasë nga taksat e shqiptarëve. Kështu ndodhi edhe në vitin 2013, kur qeveria Rama 1 vendosi të pastrojë borxhet e fshehura nga qeveria Berisha 2.
Në vitin 2013 borxhi i shtetit për faturat e papaguara të energjisë ishte rreth 9 miliardë lekë. Këto detyrime u shlyen nga borxhi që qeveria mori për këtë qëllim. Sakaq borxhi shlyhet nga taksat e qytetareve. Gati 10 vite më vonë, në vend që të kishim mësuar nga përvojat negative, situata është përkeqësuar edhe më tej, pasi detyrimet po shkojnë drejt trefishimit.
Ndërmarrjet e ujësjellësit dhe ato të ndriçimit te qyteteve po rriten në stafe vit pas viti, duke pësuar fryrje të panevojshme në një kohë që cilësia e shërbimeve perceptohet në rënie nga qytetarët. Mbingarkesa me punonjës e ujësjellësve po shteron fondet që duhet të përdoreshin për shlyerjen e faturave të energjisë
Edhe pse Ministria e Financave i ka forcuar rregullat dhe udhëzimet ndaj enteve që nuk paguajnë energjisë, por ato nuk po merren në konsideratë, pasi borxhi i enteve publike ndaj OSHEE-së po kulmon nga viti në vit./monitor/