Opozita nëpërmjet kryetarit të PD, Basha ka denoncuar bllokimin e hetimeve për skandalin e hedhjes në treg të naftës Virgin, i cili u hodh në tregun e karburanteve duke shkaktuar një dëm të pallogaritshëm për xhepat e qytetarëve dhe për ambientin.
“Muaj më parë kemi denoncuar kontrabandën kolosale të naftës “Virgin” në sasi prej qindra mijëra ton që hyri në Shqipëri me dokumente të falsifikuara sikur do ta çonin në rafineritë e naftës, ndërsa në fakt e hodhën në tregun e shitjes me pakicë, duke e përzier me karburantin që tregtohet për qytetarët që kanë në zotërim një automjet. Dëmi i kësaj kontrabande ishte i shumëfishtë. Miliona euro dëme për arkën e shtetit, mijëra e mijëra automjete të qytetarëve të dëmtuara nga cilësia e keqe e naftës së përzier, impakt shumë negativ në cilësinë e ajrit dhe mjedisit. Hetimi dhe ndëshkimi ligjor i këtij krimi të përbindshëm duhet të përfshijë gjithë rrjetin kriminal që e ka mundësuar, që nga komanduesit, kontrabandistët dhe shpërndarësit; është një imperativ për organet e drejtësisë, për të rikthyer besimin në forcën e ligjit, për të vënë në vend të drejtat e goditura hapur apo në mënyrë tinzare të qytetarëve nga xhepat e të cilëve janë zhvatur miliona sepse kanë paguar si naftë të cilësisë së parë, naftën kallpe. Pse zvarritet ky hetim, pse mbahet i bllokuar, nga kush dhe përse? Prokuroria ka gjithë mbështetjen e opozitës dhe publikut për t’i shkuar në fund këtij hetimi, pa u ndalur para asnjë pengese”, u shpreh Basha.