Vladimir KOSTURI / Tashmë e drejta e votës nuk vlen më aspak. Por ka ardhur koha që më mirë të ruhemi prej kurtheve që qeveria dhe opozita shqiptare kërkojnë të na bëjnë, për të na shtrydhur në ekstrem nëpërmjet taksimit te sofistikuar dhe të fshehur. Kanë kaluar mbi 25 vjetë në emigracion dhe Shqipëria për ne është bërë e huaj, bile shumë e huaj…
Eshtë e kotë të marrim pjesë për votimet në Shqipëri, sepse jo vetem nuk do të ndryshojme asgjë, por do t’i sjellim vetëm dëme të tjera vetes tonë. Jeta e emigracionit gjithnje e me teper na ka izoluar, na ka mbyllur edhe pse pretendojme t’u japim leksione atyre që nuk kanë levizur nga Shqipëria, duke u mburrur se “ne jemi me luftëtarë dhe kemi parë bote”…
Në të vërtetë, qofte ata në Shqipëri, qoftë ne të metropoleve të Europës, i mësojmë të rejat nëpërmjet ekraneve të manipuluara të televizioneve. Ata gjoja nëpërmjet votës si kofini mbas te vjelit, kur neve na ka shkuar bateria në zero, bëjnë sikur interesohen për ne, por në të vërtetë, si deri tani edhe në të ardhmen u intereson vetëm të na marrin gjakun dhe djersën. Në rast se votohet, ne thjeshtë do të jemi një shtojcë e lojrave politike që bëjnë në Tiranë, ku ndër të fundit është edhe studimi “TAKSIMI i EMIGRANTEVE JO-REZIDENTE NE SHQIPERI”
Ne asnjëherë nuk do ta gjejmë forcën që të përkrahim emigrantë që kane cilësi për të na përfaqësuar dhe mbrojtur. Ne emigrantët, ndofta edhe më shumë se ata në Shqipëri jemi edhe më tepër xheloze dhe egoistë me njeri-tjetrin, sepse jemi të privuar prej të drejtave shumë më tepër se familjarët tanë me banim në Shqiperi.
E vetmja përgjigje që do të japim është bllokimi i ambasadave. Regjistrimi i emigranteve gjoja nën pretekstin e të drejtës së votës bëhet për qëllime të mbrapshta, njeri prej të cilave sigurisht është “TAKSIMI I EMIGRANTEVE SI JO-REZIDENTE NE SHQIPERI”, për atë pak që kanë në Shqiperi, apo për shërbimet që marrin ne Shqiperi, si kontrata e energjise elektrike, e ujit, apo sherbime te tjera. Me pak fjalë taksa të diferencuara disa here më të larta që janë shqiptarë jo-rezidente në Shqipëri.