Sot në mbrëmje Edi Martini kërkon të hyjë në histori! Ja si pritet të rreshtohen skuadrat
Superkupa e Shqipërisë do të luhet ditën e sotme në stadiumin “Elbasan Arena”, aty ku do të përballet kampionja, Teuta, me fituesen e Kupës, Vllazninë.
Sfida do të luhet në orën 19:00 në prani të tifozëve, me “Elbasan Arenën” që do të presë 30% të kapacitetit, ashtu siç e parashikon edhe ligji për masat antiCOVID. Çmimet variojnë nga 200 lekë të rinj deri në 1500 lekë në tribunën VIP. Durrsakët duhan të fitojnë Superkupën e dytë rresht, pas asaj të fituar gushtin e shkuar ndaj Tiranës.
Edi Martini është trajneri më i suksesshëm në historinë e Teutës. Gjatë një viti e pak, trajneri dhe Teuta e tij kanë fituar tre trofe. E nisën gushtin e 2020- ës me Kupën e Shqipërisë. Një muaj më pas Superkupën e Shqipërisë dhe në maj shkodrani në stolin e durrsakëve fitoi kampionatin shqiptar. Askush si ai nuk ka fituar. Ama Martini mund të hyjë në histori sepse mund të fitojë Superkupën e dytë dhe trofeun e katërt rresht që do të ishte një statistikë e jashtëzakonshme.
Teuta ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen ndaj Vllaznisë në Elbasan, e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë. Nën drejtimin e trajnerit Edi Martini, ekipi zhvilloi pasdite në “Niko Dovana” një seancë të karakterit tekniko-taktik, ku stafi ka dhënë këshillat e fundit.
Trajneri Edi Martini nuk ka të gatshëm për ndeshjen e së shtunës, sulmuesin Lorenco Vila dhe është në dilemë për zëvendësuesin e tij. Martini do të vendosë pak para sfidës së sotme. Të gjithë futbollistët, përveç Vilës të dëmtuar, janë në dispozicion të stafit teknik të Teutës.
Ndërkohë në krahun tjetër trajneri Brdariç, ka në dispozicion të gjithë lojtarët, teksa pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm që ka në dispozicion.
PANORAMASPORT.AL