Të parandalojmë aksidentet brenda familjes

Shendeti

Nga Dr. Polikron Çelo Pediatër

Masat parandaluese kundër aksidenteve, krahasohen me ato të vaksinave kundër sëmundjeve. Shumica e aksidenteve ndodhin kryesisht për pakujdesi të të rriturve

Sot në shumë vende vërehet një ulje e vdekshmërisë në fëmijë, si nga sëmundjet ashtu dhe nga aksidentet rrugore, po kjo nuk po ndodh me ato brenda familjeve. Të shumtë janë fëmijët që humbasin jetën e mjaft të tjerë mbeten të gjymtuar ose invalidë për tërë jetën dhe në shumicën e rasteve, studimet tregojnë se, ndodhin kryesisht për pakujdesi të të rriturve.

Numri i vërtetë i tyre mendohet të jetë më i lartë nga sa raportohen dhe kjo ka arsyet e veta. Nusja p.sh. nuk tregon se ka frikë nga vjehrra dhe anasjelltas, krushka me krushkun ia mbajnë sekret palës tjetër për të fshehur atë që ka ndodhur për të mos u ngarkuar me faj. Në jetën e përditshme ndodh që për të lehtësuar sadopak ndërgjegjen e tyre, familjarët fajësojnë të tjerë jashtë shtëpisë (punonjëse çerdheje, kopshti e sidomos mjekë). Të gjitha sa përmenda, i kam hasur dhe në punën time të gjatë si pediatër.

Është fakt i njohur se fëmijët jo vetëm i shtyn kurioziteti për të provuar çdo gjë që u bije në dorë, po nuk njohin as rreziqet e veprimeve të tyre. Ka fëmijë që me vështirësi të madhe pranojnë një lëng frutash të ëmbël ose çokollatë, po janë pikërisht këta “nazelinj të mëdhenj” që përtypin e gëlltisin gjithë lezet çdo gjë, pavarësisht aromës ose shijes së keqe; prandaj mos mendoni asnjëherë se fëmija juaj është i veçantë, ai është si gjithë të tjerët. Një veçori tjetër është se ta nuk e kanë idenë e frikës, prandaj bien pre e veprimeve që nuk do ti ndërmerrnin kurrë në moshat më të rritura.

Një rritje të aksidenteve të kësaj natyre, ka gjatë stinës së Verës, gjatë së cilës shumë familje shkojnë për pushime duke ndërruar përkohësisht banesën, dukuri që duhet ti bëjë prindërit akoma më të vëmendshëm

1 – Disa rrethana si burim aksidentesh në familje

Nëna e lë p.sh. beben mbi tavolinë e largohet për një çast se ka harruar pampersin, por kur kthehet e gjën në dysheme me të vjella; një tjetër e lë pak vetëm për ndonjë punë shtëpie, duke i vendosur anash jastëkë, po kur kthehet ulurin se nuk e gjen ku e kish lënë dhe pasojat nuk mungojnë.

Një fëmijë futet midis hapësirave të kangjellave të rralla të ballkonit ose të shkallëve e përfundon i sakatuar apo më keq; një tjetër bije në hapësirën bosh ku duhej të ishte ashensori, për faj të atyre që nuk kanë vendosur derën (dukuri që i kemi dëgjuar në kronikat e televizioneve tona).

Të vegjlit, duke mos njohur rrezikun dalin nga dritarja pa mbrojtje e të përfundojnë jashtë, njësoj sikur të dilnin nga dera e një dhome për të kaluar në tjetrën. Burim tjetër rreziku, janë prizat elektrike të vendosura jashtë standardit. Duke qenë afër dyshemesë, nëse nuk vendosni tapa mbrojtëse, fëmija nuk do lërë mjet pa përdorur për të futur në vrimën e prizës e të bjerë viktimë e rrymës elektrike.

Nuk kanë munguar as në vendin tonë rastet e mbytjes në puse apo pusetat e oborreve të shtëpisë, për faj të atyre që nuk i kanë mbuluar.

Karrocat me rrota mbeten ende të preferura nga shumë familje; po nëse dera ndodhet e hapur, ata me shpejtësi rrufe dalin jashtë saj e përfundojnë në fund të shkallëve me thyerje kockash e dëmtime të trurit. Duke bërë lëvizje të pakontrolluara, kalojnë nga një skaj i kuzhinës në tjetrin, kapin mbulesa tavoline ku qëndron p.sh., kafeja ose çaji dhe lëngu i nxehtë u bije në trup, të tjerë digjen nga përplasja me objekte të nxehta si p.sh., furnelat apo sobat. Përveç vuajtjeve nga plagët e djegieve, në shumë raste mbeten gjymtime të përhershme (një prishje e pamjes që do ta mundojë tërë jetën).

Duke parë rrezikshmërinë e tyre, organizata botërore e shëndetësisë, ka rekomanduar të mos përdoren. Në vend të tyre, fëmijët të vendosen në bokse ku mund të qëndrojnë të sigurtë.

2 – Helmimet aksidentale nga lëndët kimike të përdorimit të përditshëm të cilat gjenden në çdo familje. Ato përdoren për larjen e enëve, dyshemeve, pastrimin e xhamave, banjave, sobave, shampove, si lëndë kozmetike etj. Të gjitha, nëse lihen pa kujdes, po të bien në duar të fëmijëve mund të gëlltiten pa të keq.

Helmime mund të ndodhin dhe nga pije të ndryshme me përmbajtje alkooli etilik të cilat si dihet gjenden në shumë familje e lihen në vende jo të sigurta me bindje se fëmijët e tyre nuk i pinë; po e vërteta është krejt ndryshe,

Shumë familje në fshat kanë kimikate që përdoren në bujqësi, ndërsa në qytete për lulet e oborreve ose të vazove. Lënia e tyre në vende të pasigurta, ka bërë të bien në duart e fëmijëve të cilët i kanë ngrënë dhe pasojat i kemi dëgjuar jo në një, po në disa raste. Jashtë vëmendjes nuk duhen lënë as disa bimë si Dafina, Dredhëzat, Karafili, Lule Marshalla, Mimozat, Zymbylin, Jargavanin etj. të cilat nëse gëlltite, shkaktojë helmime, ku më të lehta e ku më problematike. Për të parandaluar rreziqet, lëndët kimike (të çdo natyre qofshin) dhe të tualetit tuaj duhen mbajtur gjithmonë në vende tepër të sigurta në mënyrë që të mos bien në duarve të fëmijëve të vegjël.

Mos zëvendësoni kurrë përmbajtjen e lëngje të zakonshme, me të tjera të rrezikshme p.sh. në shishen e koka-kolës, hidhet benzinë, vajguri etj

3 – Rreziqet nga medikamentet. Në krahasim me disa vite më parë, sot numri i medikamenteve, është rritur jashtëzakonisht shumë, nga ana tjetër me të njëjtën përbërje kimike, firmat prodhuese farmaceutike hedhin në shitje me emra të ndryshme. Sa për ilustrim, vetëm Amoksiciklina (pjesë e grupit të Penicilinës) në farmaci gjendet me emrin Amoksinë, Velamox, Zimoks e shumë të tjera. Nëse një fëmije që ka reaksion nga Amoksiciklina, prindi pa pyetur fare mjekun (dukuri jo e rrallë) i jep fjala vjen Velamos, nga padija ka vënë në rrezik të vërtetë jetën e fëmijës së tij.

Veprime të tjera që rrezikojnë jetën e fëmijëve, lidhen me dhënien e dozave të larta. Për fëmijët (ndryshe nga të rriturit) llogaritjet e dozave bëhen duke pasur parasysh moshën, peshën dhe pjekurinë e rrugëve të organeve nga eliminohen (kryesisht funksionin e veshka e mëlçi). Kjo është arsyeja që gjatë muajve të parë mjekët japin doza më të vogla e intervale kohe më të zgjatura. Ndodh që këto parime nuk zbatohen, familjarët ilaçet e fëmijës pak më të rritur ja japin dhe tjetrit më të vogël ose në me bindje se çdo lugë kafeje përmban 5 ml (teorikisht ashtu është) po jo të gjitha u përmbahen standardeve, matini dhe kini për të parë se ka prej tyre që marrin 8 deri 10 ml.

Jo pak fëmijë bien viktimë ngatërrimi i shisheve pranë njëra-tjetrës. Në këto rrethana dhe në vendin tonë u janë dhënë “nga nxitimi” ato të të rriturve dhe fëmija nuk është zgjuar kurrë.

Një numër fatkeqësish ndodhin nga lënia pa kujdes e medikamenteve. Të moshuarit, zakonisht ilaçet që përdorin për uljen e tensionit ose mjekimin e zëmrës, i lënë në komodinë te koka e krevatit, ndërsa nënat i lënë kontraceptivët ku të mundin, pa menduar fare se në çdo moment mund të gjenden e të gëlltiten prej fëmijëve.

Jo rrallë aksidentet e këtij grupi, për arsye nga më të ndryshmet, nuk tregohen dhe pasoja e rënda jo rrallë mbeten “misterioze”. Për të parandaluar rreziqet e mundshme, asnjëherë mos i jepni fëmijës asnjë medikament (përfshi dhe ato me recetën e mjekut) pa u siguruar më parë se është ai që mendoni, dozën në përshtatje me moshën e peshën dhe datën e skadencës. Medikamentet, qofshin dhe ato që i konsideroni të thjeshta, kurrë mos i vendosni në vende të larta ku mendoni se fëmija nuk mund ti arrijë; duhet ta dini se ai nuk do të lerë mjet pa përdorur derisa të arrijë qëllimin. Ato vendosini në një sirtar ose komodinë të mbyllur me çelës të cilin duhet ta fshihni, vetëm në këtë mënyrë fëmijët binden se nuk mund ti gjejnë.

Kur duhet dyshuar për helmime nga lëndë kimike ose medikamente

Mënyra si shfaqen dhe shkalla e rrezikshmërisë, ndryshon nga një rast në tjetrin; gjithçka varet nga lënda e gëlltitur, sasia dhe koha e dhënie së ndihmës së parë. Sidoqoftë disa shenja duhet të ngjallin gjithmonë dyshime.

Ndryshimi i aromës së gojës, Konfuzion mendimesh

Dhimbjet e papritura të barku, Humbja e ndërgjegjes

Frymëmarrje e çrregullt, Përgjumësi e tepruar

Vjellje të pashpjegueshme, Konvulsione (duke qenë mirë)

Ç`duhet bërë

Në radhë të parë ruani gjakftohtësinë. Çdo hutim, mund të çojë në veprime të dëmshme

Me dyshimin më të vogël, jepini vetëm ujë (jo qumësht, yndyrnat e tij, ndihmojnë thithjen e disa helmeve), mundohuni të provokoni të vjellat duke futur me delikatesë dy gishtat e dorës suaj në drejtim të fytit dhe nisuni pa humbur kohë në qendrën shëndetësore më të afërt duke marrë me vete lëndët kimike që dyshoni dhe medikamentet që u ndodhen në shtëpi (numëroni sa kanë qenë dhe sa janë)