TEATRI KU SHQIPTARËT SHIKONIN TË VËRTETAT BRENDA QËNIES SË TYRE

Kulture

Dr. Luan Zyka (Ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës )

Në pranverën e vitit 2002, kur emërova Sekretar Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, tema më e nxehtë e ditës ishte problemi i Teatrit Kombëtar. Aktorë, regjisorë, dramaturgë, skenografë dhe gjithë opinioni teatrodashës, ishin ngritur në mbrojtje të ruajtjes së ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar.

Ashtu si atëhere, edhe sot vazhdoj të besoj se çështja e Teatrit Kombëtar, nuk është thjesht dhe vetëm ruajtja e ndërtesës historike, por si pasojë e paqartësisë së ideve dhe tranzicionit anarkik, shteti dhe politika jo vetëm kishin braktisur kulturën, por në emër të tregut të lirë po i shkaktonin dëm historik kulturës dhe artit shqiptar.

Çështja e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar kishte ndërgjegjësuar opinionin, i cili me reagimin dhe mbështetjen e tij, tregonte se dhimbja kishte arritur në palcën kulturore të shqiptarëve.

E gjithë Shqipëria i ngjante një teatri të madh absurd, ku në skenën e pazakontë zhvilloheshin beteja midis njerëzve dhe kohërave; kohës së shkuar, të tashmes dhe më pak kohës së ardhme. Të gjitha kohët kishin dalë sëbashku në skenë, në një sfond pa horizont. Çoroditja e shqiptarëve ishte tërësore, ndaj në këtë fazë ishte kaq i domosdoshëm dhe qenësore roli që mund dhe duhej të luante kultura dhe arti në qartësimin dhe fisnikërimin e vlerave shpirtërore të njerëzve.

Shqiptarët kishin nevojë të merrnin arratinë prej këtij realiteti zvetënues dhe të jetonin, qoftë edhe për ca caste, edhe një realitet tjetër, ku kryesore nuk ishin ndërtesat, makinat, llampadarët, rrobat por konstrukti i tyre shpirtëror i shprishur, të ndjenin njëri tjetrin duke u pastruar nga drita e pastër hyjnore e artit.

Këtë mundësi ta jep vetëm arti. Dhe me plotërinë më të madhe, teatri. Në greqishten e lashtë fjala “teatër” do të thotë “zhbirilim, vrojtim”. Pra, teatri duhet të luante rolin e tij ku shqiptarët të shikonin të vërtetat brenda qënies së tyre.

Për mua ishte një sfidë e madhe, por pa mëdyshje, për rolin tim si shtetar në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe artit, që aq shumë nevojë i ka shpirti i traumatizuar i shoqërisë shqiptare.

Ministër i Kulturës ishte prof. Agron Tato, një nga matematikantët më të mirë të Shqipërisë, dashuronjës i artit dhe njohës i mirë i kulturës shqiptare. Ministri Tato dhe Kryeminstri Pandeli Majko kishin dalë hapur në krah të artistëve dhe vendimi i tyre ishte të mbrohej ndërtesa e Teatrit Kombëtar dhe të vazhdonte funksionimi I saj duke akorduar 22,5 milion lekë (të reja) për riparimin e disa pjesëve të ndërtesës.

Në një takim në ambjentet e Teatrit Kombëtar në prani të dhjetra aktorëve, minstri Agron Tato shprehu politikën e ministrisë në mbrojtje të Teatrit dhe ftoi aktorët që të beheshin pjesë mbikqyrëse e proçesit të tenderit dhe riparimit të Teatrit Kombëtar. Aktorët duartrokitën. Arti duartrokiste pushtetin, e rrallë kjo në vendet e lira, jo si përulje, por si mirënjohje dhe mbështjetje për politikën tonë. Ishte nga shprehjet më të sinqerta dhe më mbresëlënëse që kam ndjerë aty përpara Kadri Roshit, Robert Ndrenikës, Violeta Manushit, Agim Qirjaqit, Mirush Kabashit, Ahmet Pashës, regjisorëvet Kastriot Çipi e Kiço Londo, skenografit Fatbardh Marku etj.

Unë, si Sekretar i Përgjithshëm, u ngarkova të kryesoja Komisionin e tenderit për zgjedhjen e firmës riparuese. Në përbërje të Komisionit futëm edhe Agim Qirjaqin, që sapo ishte emëruar drejtor i Teatrit Kombëtar.

Duke plotësuar dokumentacionin e tenderit vërejtëm se kishte një pengesë ligjore për ndërhyrje teknike në hollin e Teatrit, ku ekzistonte një marrëveshje e nënshkruar para vitit 2002 midis ministrisë dhe një subjekti privat për shfrytëzimin e pjesës së hyrjes së Teatrit. Firma private kishte ndërtuar aty një sallë spektakli me emrin “Rubairat”, dhe marrëveshje ishte akoma në fuqi. Prishje e njëanshme e marrëveshjes nga ministria do të shkaktonte zhdëmtimin ndaj subjektit privat dhe gjoba ndaj ministrisë.

Menjëherë ftova në takim përfaqsuesin e firmës private, ishte z. Marsel Skëndo, bashkëpronar i tvKlan. Vëllai im inxhinier mekanik kishte bashkëpunuar para shumë vitesh me Marselin në blerjen e paisjeve në Suedi për modernizimin e ushtrisë shqiptare. Në hyrje të bisedës sonë i bëra të njohur këtë fakt Marselit, duke thyer akullin e fillimit, dhe vazhdimin e një kuvendimi të hapur dhe të sinqertë. Unë i spjegova gjendjen e ndërtesës së Tetarit dhe vendimin e ministrisë për riparimin e saj, duke i kërkuar që të merrte paisjet e vendosura në sallën “Rubairat” dhe të prishej marrëveshja pa asnjë ankim ligjor prej tij.

Marsel Skëndo, pasi më dëgjoi deri në fund, u përgjigj; – Dakord, kultura kombëtare është e para. “Rubairat” nuk kanë më vend aty, vetëm do ju lutesha që t’më ktheni pa prishur paisjet e mia të vendosura tek holli i Teatrit.

Ndërkohë për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së Teatrit, u interesuan përfaqsuesit diplomatik të dy shtetve fqinjë; italianët për të ofruar fonde në riparimin e ndërtesave të ndërtuara në “kohën e Italisë”, duke filluar me Teatrin Kombëtar, dhe grekët që kishin akorduar një fond prej 2,5 milion dollarë për ndërtimin e një Teatri Kombëtar në Tiranë.

Përgjigja ime ishte NO MORE ! Ata dy popuj dhe dy vende fqinje kishin vite që po ndihmonin shqiptarët në mbijetesën tonë fizike. Më tej ishtë detyrë e shqiptarëve të mendonin për shpirtin e tyre kombëtar. Për një popull që nuk mund të mbrojë dhe të zhvillojë kultet e tij shpirtërore, është çështje kohe asimilimi i tij. Mirkuptimi i tyre ishte i plotë dhe me ndjenjë respekti ndaj qëndrimit tim.

Ia tregova këtë histori me fondet e huaja studjuesve Moikom Zeqo dhe Emin Riza, të cilët ishin të shqetësuar për zhvillimet kulturore në vend. Të dy më mbështetën. Emin Riza u prek, më përqafoi dhe më puthi në ballë. Pastaj vazhdoi duke na treguar një histori të ngjashme me një kryetar bashkie të Tiranës së para luftës, i cili nuk kishte pranuar ndihma të huaja për ngritjen e shtatores së Skëndërbeut në Tiranë duke u përgjigjur – tani do vendosim dy trungje lisi në përkujtim të heroit tonë kombëtar, dhe kur ky shtet të fuqizohet ekonomikisht, me paret tona do i bëjmë monumentin e denjë Skënderbeut tonë.

Tenderi përfundoi pas një kohe 2 mujore pune me 13 firmat e paraqitura. Nuk mund të harroj të ndjerin, të paharruarin si aktor dhe njeri Agim Qirjaqin, të cilin e mbaja me orë të tëra në zyrë për të shqyrtuar dokumentat e tenderit, kur më thoshte – çfarë durimi ke or djalë ! Dhe unë I përgjigjesha – durim ke ti Agim, sepse kjo nuk është detyra jote, por e jona.

Ndërkohë njoftohemi se Qeveria ndryshoi dhe do largohej ministri Agron Tato, tashmë miku i madh i artistëve. Mes dokumentave të fundit, ministri firmosi edhe përfundimin e tenderit, duke na shprehur edhe një peng, që ministresha e re, A. D. mund ta anullonte tenderin dhe Teatri do të futej në peripeci të reja.

Ashtu edhe si ndodhi. Ndërsa të gjithë prisnim daljen e urdhërit për fillimin e punës në riparimin e Teatrit, e sapoemëruara ministresha e minstrisë së Kulturës, të parin veprim që bëri ishte dërgimi i dosjes së tenderit në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Unë, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë dhe kryetar I Komisionit të Tenderit nuk u informova për këtë veprim të djallëzuar, por e mësova nga Kryetari I KLSH z. Mustafa Kërçuku. Qëllimi i ish-ministres ishte që me një plumb të vriste dy zogj. Të nxirrte me shkelje zhvillimin e tenderit, duke e anulluar atë, dhe njëkohësisht t’më penalizonte mua për t’më shkarkuar si Sekretar i Përgjithshëm (para ca kohe më kish bërë ofertë në lirimin e pozicionit tim për të zgjedhurin e saj). Por, koha e tregoi që Teatri Kombëtar dhe unë mund të ishim zogj në sinqeritetin tonë për kulturën, por jo për pisqollen e saj të rryshkur.

Pas disa kohësh, Mustafa Kërçuku, në cilësinë e Kryetarit të Kontrollin të Shtetit më njoftoi në zyrën e tij se tenderi ishte në rregull dhe më përgëzoi për punën time në dobi të kulturës kombëtare. Vendimi i KLSH për rregullsinë e tenderit ishte goditja e parë që po merrte ish-ministresha nga vetë shteti.

Ndërkohë unë i kisha infomuar mediat për rezultatet e tenderit, dhe aktorët po e akuzonin ish–ministreshën për mosfirmosjen e lëvrimit të fondeve të tenderit e riparimit të Teatrit. Një pasdite gushti, më telefonon nga jashtë shqipërisë ish- ministresha duke mu ankuar ndaj luftës mediatike që po i bënin aktorët asaj, dhe më kërkoi ti takoj “ata miqtë e tu aktorë” që të pushojnë akuzat ndaj ministreshës. Ironia

djallëzore dhe hipokrizia në kulm. I’u përgjigja se aktorët kërkojnë të zbatohen procedurat ligjore në firmosjen e lëvrimit të fondeve prej teje. Eshtë e rrallë që aktorët të cilësojnë si mik një pushtetar, dhe kjo ishte nder për mua. Kaq i thashë , dhe i mbylla telefonin. Pas disa ditësh, ish-ministresha u dha urdhër sejmenëvë të saj në ministri të mblidhnin të dhëna për shkarkimin tim.

Por loja djallëzore kishte mbaruar. E detyruar nga presioni i aktorëve dhe i opinionit, dhe duke rënë alibitë e ish-ministreshës, filloi dhe u krye riparimi i pjesshëm i Teatrit Kombëtar që i zgjati jetën në shërbim të zhvillimit teatror shqiptar.

Në ministri jo vetëm që nuk bëhej fjalë për politikat e zhvillimit teatror, jo vetëm që nuk po punohej për ligjin e ri pët Teatrin shqiptar, por synohej edhe zhdukja e një simboli të kulturës kombëtare. Sepse teatri, dhe gjithshka që lidhet me të, duhen trajtuar me vëmëndjen më të veçantë, duke respektuar edhe ato objekte që mbartin në molekulat e tyre historinë e tij jetësore, zërat, heshtjen, tingujt, zhurmat, muzikën, duartrokitjet…