Trasformimin e pranuam, por jo kurrë shkatërrimin.

908

suljeman abazi ne focus

Sulejman ABAZI Pacifizmi shqiptar përball shëmbullit të Zvicrës!

Edhe pse jemi vend anëtar i NATO-s, tash e 6 vjet, krahasuar me vendet përreth, ndoshta jemi vendi më i pambrojtur, dhe kjo nuk është diçka e zakonëshme.

Trasformimin e pranuam te gjithë, por jo kurrë shkatërrimin.

Të jesh i përgatitur për mbrojtje, pavarësisht konjukturave politiko – ushtarake dhe kushteve konkrete, është më shumë se sa zgjuarësi, është tërësisht atdhedashuri. Është kjo që i ka munguar klasës politike, e cila gradualisht e solli mbrojtjen në këtë nivel minimal.

Abuzimi me objektet ushtarake, të cilat një pjesë e mirë kanë pasur sistem antibërthamor, kthimi i tyre sot për muze, turizëm object dhe tallje, është një mendjelehtësi që mund ta paguajmë shumë shtrenjtë.

Krahasimi që mund të bëjmë sot me Zvicrën është kthyer në një ëndërr.

Nëse do të flasim për buxhetin ushtarak të saj dhe përgatitjen që ajo bën për luftë me të gjithë llojet e strukturave dhe fortifikimin e përsosur gjithpërfshirës, do të ishim si nata me ditën.

Çfarë e detyron këtë vend neutral që të orientohet në këtë rrugë?

Që sa kohë një turmë mëndjelehte po predikon paqen, kur bota është përfshirë në kaos dhe pasojat po i vijnë rrotull Ballkanit dhe Shqipërisë?

Që sa kohë njerëzit që kanë drejtuar dhe drejtojnë Shqipërinë nuk kanë kurajo të pranojnë që, janë me një buxhet cop-copë dhe nuk kane asnjë mundësi modernizimi dhe paisjesh për FA?!

Që sa kohë po mendohet që të përbaltet gjithcka dhe të braktiset, kur dihet fort mirë që objektet ushtarake janë pasuri kombëtare dhe asetet e tyre i takojnë gjithë popullit?

Kemi një strukturë shtabesh, por realisht forca operative operacionale është minimale.

Kujt do t’ia lejë barrën politika në rast të një situate kaosi, apo si përherë vetëm popullit që të mbrojë veten si të mundet?!

Na mbyti pacifizmi dhe kur krahasohemi me vendet kufitare, duam “të qetësojme” veten me antarësimin në NATO.

Për këtë çështje delikate, personalisht lutem, lutem që unë të mos kem të drejtë, le të dal krejt ndryshe, por që të flasësh për gjendjen reale dhe të vërtetën kur është koha, ky nuk është mëkat, por një detyrim kombëtar.

Ne jemi bere cop copë, ne nuk duam veten tonë, ne dim vetëm të mburremi dhe pak të punojmë per vendin tonë, ne po i kthejmë kurrizin vendit, po e braktisim atë, sepse nuk jemi të zot ta detyrojmë politikën të kthejë kursin në interesin qytetar dhe kombëtar.

Një çerek shekulli është e mjaftueshme për të nxjerrë një përfundim të saktë, le të jetë dhe i hidhur. Edhe sa kohë do të presim dhe të lejojmë që të vazhdojnë të eksperimentojnë mbi ne, duke na zhvatur pasuritë çdo ditë?

Kujt i shërben kjo situatë dhe pse Shqipëria duhet të mbrrinte deri në këtë pikë?

Në Shqipëri dhe në Kosovë çështjet e sigurisë kombëtare përshkohen ende nga një frymë e theksuar pacifiste, e cila po e lë vendin zbuluar.

Siguria kolektive është njera anë, siguria e mbështetur në resurset dhe strukturat e mirëorganizuara të vendit për të garantuar mbrojtjen shtetërore, është tjetër gjë.

Është kuptuar keq anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, jo nga specialistët profesionist, por nga politika pacifiste, që në një situatë të vështirë do të jenë të parët që do të kërkojnë strehimet për të shpëtuar kokën e tyre.

Në çështjet e sigurise ka partneritet, por jo përkulje dhe servilizëm mbi garanci pa formë dhe përmbajtje. Kjo tallje dhe ky shkatërrim total në këto 25 vite të elementëve të mbrojtjes, është një nga fatekqësitë më të mëdha që na kanë ndodhur.

Mjerisht, mjerisht këtu po flasim vetëm për shtetin shqiptar, se sa për popullsinë shqiptare në trojet etnike, ajo ka mbetur tërësisht në mëshirë të fatit dhe vetëm në varësi të ndërkombëtarëve.

Akoma nuk po bindemi në fjalën e urtë të popullit tonë, që “vetëm i zoti do ta nxjerrë gomarin nga balta”.

Urojmë që, përvoja mbi strukturimin e forcave special të orientohet gradualisht në strukturat e tjera, të cilat duhet të plotësojnë kuadrin e një Force të Armatosur moderne dhe me kapacitete të mjaftueshme operacionale në mbrojtjen e vendit në kuadrin e sigurisë kolektive.

Shteti duhet të kthejë sytë nga siguria, e lënë deri tani në peiferi, duke u mbështetur në konceptin se, jo cdo gjë do ta presim nga të huajt, por të jemi dinjitoze brenda NATO-s, duke i shërbyer me atdhedashuri dhe profesionalizëm rritjes së misionit politiko ushtarak të strukturave të Sigurisë dhe kapaciteteve për Mbrojtje.

Zvicra është një shembull konkret që flet shumë, shumë, shumë….edhe për ne.

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: