Vendimi i qeverisë: Afganët do të qëndrojnë 1 vit në Shqipëri

Aktualitet

Afganët, që u rrezikohet jeta nga talebanët, do të qëndrojnë në Shqipëri për një periudhë 1-vjeçare.

Është ky vendimi më i fundit i qeverisë shqiptare, teksa është ngritur edhe një Task-Forcë në përbërje të së cilës janë 7 ministra, e drejtuar nga ajo e Jashtme, Olta Xhaçka.

Kjo Task Forcë ka disa detyra kryesore që nis me negociimin me ndërkombëtarët, me menaxhimin e fluksit dhe koordinimit e akomodimit të tyre e deri tek buxheti i vënë në dispozicion për këta shtetas, destinacioni i fundit i të cilëve është SHBA-ja.

Në varësi të saj janë Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i Mbrojtjes Niko Peleshi, e Financave Anila Denaj, e Arsimit Evis Kushi, e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe i Turizmit Blendi Klosi dhe ky grup i posaçëm do të veprojë deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë që do të strehohen në Shqipëri.

Në këtë vendim të firmosur nga kryeministri Edi Rama, marrë mesditën e kësaj të mërkure, thuhet gjithashtu se ekziston mundësia që afganëve të vendoset që t’u kufizohet liria e lëvizjes, por ky vendim do të merret nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët nëse konsiderohet e nevojshme mbi bazën e vlerësimit individual, dhe jo në grup. 

Kur kanë kaluar 10 ditë nga “PO” e thënë nga kryeministri Edi Rama për t’i hapur dyer afganëve, bashkëpunëtorë të perëndimit që u rrezikohet jeta nga talebanët, këta shtetas nuk kanë mundur që të mbërrijnë në Shqipëri, kjo për shkak të situatës kaotike që ndodhet në Aeroportin e Kabulit. Strehimi i tyre do të bëhet në konviktet te Qytetet Studenti në Tiranë dhe në hotele në Durrës e Berat, duke e përjashtuar kategorikisht mundësinë për t’i zhvendosur në kampe të ngritura enkas për ta, pasi për Ramën do të ishte krejtësisht çnjerëzore, nisur edhe nga periudha e gjatë që pritet të qëndrojnë në vendin tonë.

Ende nuk ka një datë konkrete se kur pritet të mbërrijnë në vendin tonë, por referuar deklaratave numrit një të qeverisë bëhet fjalë për një grup prej 3000 afganësh që do të strehohen në Shqipëri.

“DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE AFGANË DHE PERSONAVE PA SHTETËSI ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË REPUBLIKËN ISLAMIKE TË AFGANISTANIT DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të neneit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve me shtetësi apo kombësi afgane dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit, që hyjnë masivisht dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për arsye të luftës, situatës së ngjashme, dhunës së përgjithshme dhe konfliktit të brendshëm, të karakterizuara nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe që kërkojnë mbrojtje nga Republika e Shqipërisë.

2. Mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një afat 1-vjeçar.

3. Përjashtohen nga e drejta e mbrojtjes së përkohshmen të gjithë personat të cilët plotësojnë një nga kushtet e përcaktuara në nenin 83, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.

4. Autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët mund të vendosë që kërkuesit t’i kufizohet liria e lëvizjes, nëse e konsideron të nevojshme, bazuar në vlerësimin individual të secilit rast sipas përcaktimeve të neneve 46 dhe 47, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.

5. Krijimin e Task-Forcës, si një strukturë e posaçme e përkohshme, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.

6. Task-Forca kryesohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ka në përbërje, si më poshtë vijon:

a) Ministrin e Brendshëm;
b) Ministrin e Mbrojtjes;
c) Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
ç) Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
d) Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
dh) Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit.

Sipas nevojave ftohen të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të tjera me kërkesë të kryetarit të Task-Forcës.

7. Task-Forca ka këto detyra:

a) Negocion me partnerët ndërkombëtare për çështjet që lidhen me objektin e këtij vendimi;
b) Harton planin e veprimit për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare;
c) Koordinon situatën e pritjes dhe të akomodimit të shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit;
ç) Evidenton nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të kuadrit ligjor, nënligjor e rregullator, të cilat ndikojnë në përmirësimin në këtë funksion;
d) Analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëlllim.

8. Task-Forca ndihmohet nga sekretariati teknik në detyrat administrative. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministri i Brendshëm janë përgjegjës për ngritjen e këtij sekretariati, përcaktimin e përbërjes dhe të mënyrës së funksionimit të tij.

9. Periudha e veprimit të Task-Forcës është deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.

10. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, vendimi i qeverisë.