Vlahutin: Forcimi i administratës civile, prioritet për integrimin e Shqipërisë

Politika

Ambasadorja e Delegacionit të BE në Tiranë Romana Vlahutin ka vlerësuar se forcimi i administratës civile në Shqipëri, është një nga 5 prioritetet për t’u përmbushur drejt integrimit të vendit në Europë.

Duke folur në një aktivitet të Shkollës së Administratës Publike të hënën në Tiranë , zonja Vllahutin tha se “Është një nga reformat më të rëndësishme. Një gur themeli për zhvillimin e qendrueshëm të shtetit”. “Pavarësisht se është e vështirë të ndryshohet mentaliteti e luftohet nepotizmi e korrupsioni, të funksionuarit në bazë transparence, besueshmërie e eficience, duke patur në fokus shërbimin ndaj qytetarit, është drejtimi i duhur për të ndërtuar një administrate të vërtetë publike” këmbënguli zonja Vllahutin.
Ngritja e një administrate publike efikase, jashtë politikës dhe në shërbim të qytetarëve ka qenë një ndër temat më të debatueshme të fushatës së fundit zgjedhore. “Ashtu siç e bëmë ne Policinë e Shtetit, ashtu do të bëjmë me administratën publike; duke ua prerë rrugën influencave të partive politike dhe duke ua dhënë në dorë profesionistëve, djemve dhe vajzave profesioniste që të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën” ka deklaruar në takimet zgjedhore zoti Rama.