ZGJIDHJA: Timonieri premton stabilitet me zgjedhje të “qelbura”

Aktualitet

Duke i konsideruar zgjedhjet e 25 qershorit si të “qelbura”, Partia Zgjidhja thotë se ishte e vetmja ajo që i bojkotoi dhe se ka moralitetin politik t’i thotë Rilindjes që t’i mbajë për “veten këto zgjedhje sepse ne refuzuam të merrnim pjesë në atë gosti të fëlliqur elektorale”.

“Partitë e rrjepura nga Rilindja më 25 qershor po rendin kuturu kush e kush të gërthasë më fort në emër të “qytetarit”! Kush e kush të afishohet si opozita që nuk do ta lërë të pandëshkuar farsën elektorale. Do të kishte qenë më e udhës që partitë opozitare t’i ishin bashkuar alarmit dhe refuzimit kategorik të “Zgjidhjes” për të hyrë në zgjedhje për aq kohë sa nuk do të kishim një kod zgjedhor katërçipërisht të ri, modern dhe evropian, larg duarve të partive e tentakulave të tyre korruptive!”, thuhet në reagim.

 “Zgjidhja ka tagrin moral t’i thotë tani Rilindjes që t’i mbajë për veten e saj këto zgjedhje të qelbura, të cilave ne nuk ua njohim legjitimitetin, sepse ne refuzuam të merrnim pjesë në atë gosti të fëlliqur elektorale. Më mirë vonë se kurrë. Ejani të hartojmë raportin tonë të zgjedhjeve përpara se ndërkombëtarët të na imponojnë të tyrin në emër të stabilitetit që u premton “timonieri” Edi Rama. Në “titanikun” shqiptar s’do të ketë kurrë stabilitet po nuk ndryshuan një herë e përgjithmonë rregullat e lojës së sistemit tonë elektoral”, thuhet më tej.