Emigrantët komuniteti më i haruar dhe më i përbuzur në Shqipëri, por me një ndryshin se ekzistenca e tyre kujtohet një herë e në katër vjetë. Kryeministri vendit z. Edi Rama u dy ditë më parë në mënyrë publike u ka bërë thirrje emigrantëve që të vijnë e të votojnë në Shqipëri, duke përsëritur se : “Sfida e qeverisë shqiptare për votimin e emigranteve nga vendi ku ata jetojnë, pa qenë nevoja të vijnë në Shqipëri. Edhe një herë si në 2013 Rama-2 u premtoi emigrantëve se kjo është hera e fundit që ata nuk mund të votojnë nga aty ku ndodhen, pasi qeveria,ka nisur një punë kolosale për të regjistruar të gjithë shqiptarët jashtë vendit, për të cilët në një çerek shekulli nuk i numëroi kush dhe nuk i deshi kush në zgjedhje. Pa ju Shqipëria nuk do t’i kishte mbijetuar dot rrënimit ekonomik e social në vitet e panumërta të tranzicionit. Shqipëria nuk do të kishte të ardhme dhe nuk do të ishte pasuruar me suksese të panumërta njerëzish si ju, që u bëtë qytetarë të respektuar në vende të ndryshme të botës”. Sikur të mos mjaftojë ky premtim i radhës, ende pa kërkuar ndjesë, u ka kërkuar përsëri që këta të bindin edhe familjet e tyre që të shkojnë e të votojnë për Partinë Socialiste. Ishte kjo parti që kur ishte në opozite shpalosi një program të veçantë me 10 premtime për emigracionin, premtime që mbeten vetëm të tillë. Por për këto premtime boshe Rama nuk foli fare duke ditur se edhe sot se po evidentohen përpjekje të pakta nga ana e qeverisë, për të marrë seriozisht dhe realizuar proçesin më demokratik atë të votimit, një proçes që padyshim do të rriste akoma më shumë pjesëmarrjen e numrit të votuesve, duke i dhënë mundësi çdo emigranti për të shprehur vullnetin e tij për ndryshimin dhe forcën qeverisëse në këto zgjedhje.
Është e vërtetë që kjo e drejtë u është mohuar atyre, por është po aq e vërtetë se asnjëherë nuk u realizua infrastruktura e nevojshme zgjedhore që do të bënte të mundur procesin e votimit për emigrantët në vendet ku ata ndodhen në emigrim. Ishte një premtim i qeverisë për 100 ditët e para të saj…por ?
Mbi të gjitha qeveria shqiptare duhet të tregojë një mirënjohje për të gjithë emigrantët shqiptarë, pasi është komuniteti më i çmuar i shoqërisë, që me talentin e duarve të tyre i kanë dëshmuar botës dashurinë për punën. Që në kohë fushate, politika vërsulet të fitojnë votat e emigrantëve. Për mos realizimin e asnjë premtimi Rama mbi të gjitha duhet të kërkojë ndjesë komunitetit të emigrantëve dhe jo të mjaftohet vetëm me thirrjen e tij që këta të udhëtojnë përsëri në Shqipëri për të votuar.
Por për hir të vertetës emigracioni shqiptare përfshi edhe Diasporën është tri herë më shumë se popullsia që jeton në Shqipëri, por me gjithë këtë sistemi politik nuk ju ka dhënë asnjë të drejtë që këta të marrin pjesë në jetën politike, pasi këtë gjë e ndalon ligji. Në një kohë që liderët e dy partive të mëdha të vendit Kushtetutën e Shqipërisë mund ta ndryshojnë sa herë duhet për të forcuar Shtetin e së Drejtës, ose për të forcuar parimet dhe institucionet e demokracisë.Ndërsa kur bie fjala për komunitetin e emigrantëve të kudondodhur që edhe këta të kenë të drejtë për pjesëmarrje në jetën politike të vendit as që bëhet fjalë.
Shumë premtime u dhanë në fushatën elektoriale të 2013 nga socialistet, bile sa edhe në programin e tyre kishin edhe 10 premtime, të cilat siç dihet nuk u realizua asnjë.
Normalisht në Shqipëri e drejta e votimit të zgjedhë, apo të zgjidhet do të ishte më minimalja që duhet të kishin emigrantët tanë, pasi kjo është e drejta e tyre, një e drejtë që u mohohet me pa të drejtë. Liderët nuk duan të votojnë ligjin që u jep të drejtën e votes së emigrantëve pasi e kanë të qartë se do të “tronditeshin” themelet e Kuvendit, si dhe nuk do të kishin vend më deputetet të mpleksur me ligjin, deputetë injorantë dhe servile…
Në Shqipëri kjo e drejtë për emigrantët nuk ekziston duke “zhveshur” emigrantin nga çdo e drejtë në pjesmarrjen e tij në jetën politike. Pjesëmarrja e emigrantëve do të ishte një revolucion dhe një sukses për kombin tone, pasi deri më sot vendi po zvarritet në labirinthet dhe tunelet e errta të mërrisë, urrejtjes, egos apo edhe të krimit.
Sot emigrantëve u bëhet thirrje nga partite e mëdha që të udhëtojnë për në atdhe për të votuar, në një kohë që liderët e tyre duhet të kishin kërkuar ndjesë, pasi nuk mbajtën asnjë premtim të vetëm.
Disa nga premtimet qe mbeten të tilla:
- Aprovimi i VOTËS së emigrantëve me shumicën tonë në Parlament.
- Marrëveshje e menjëhershme për per PENSIONET me Greqinë dhe Italinë.
- Transferimi i TVSH2 në duart e emigrantëve për gjuhën, arsimin e kulturën shqipe
- Menaxhimi i SHËRBIMEVE KONSULLORE nga përfaqësues të emigracionit
- Paketë FINANCIARE lehtësuese për transferimin e biznesit në Shqipëri.
T’u kërkosh sot votën emigrantëve të braktisur këtu e dy dekada e gjysëm përbën një fyerje, një tallje dhe një krim moral për ta, ndërsa nga ana tjetër emigrantët duhet që t’i kërkojnë Parlamentit të drejtat e tyre, zgjedhjen dhe zgjidhjen e përfaqësuesve të tyre në Parlament, ndryshe duhet ta bojkotojnë fushatën zgjedhore në Shqipëri, ku çdo gjë varet në dorën e tyre.
Emigrantët i kanë të gjitha forcat që t’i drejtohen në mënyrë institucionale parlamentit, qeverise dhe opozitës shqiptare. Të mos lejohen partitë politike t’i përdorin politikisht, apo të shfrytëzojnë të drejtat e tyre, për interesat partiake, por të bëhen një zë dhe një forcë, për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre të ligjshme.
Ata duhet të dine se në këtë botë asgjë nuk dhurohet dhe asgjë nuk fitohet pa mund dhe pa përpjekje të mëdha. .Nuk mund të vazhdohet më duke lenë votën dhe jetën e tyre, të ardhmen e fëmijëve në duart e të tjerëve, të cilët as që nuk u ka shkuar ndërmënd të diskutojnë të paktën një minut për hallet dhe problemet e tyre. Emigrantët janë qytetarë shqiptarë me pashaportë dhe shtetësi e kombësi shqiptare, janë njerëzit më të puntor më të ndershëm dhe të pastër moralisht, këta janë dhe mbeten emigrantë dhe jo diasporë siç kërkojnë ta etiketojë politika shqiptare…
Me mashtrimet në vite njera pas tjetrës deri më sot pa dashur janë kthyer në mbrojtës të karrigeve të atyre që u kanë premtuar, që mbasi i mashtrojnë duke ju marrë votën, i vjedhin dhe i dhunojnë, në ambasadë, dogana, polici dhe institucione të tjera, sepse zëri i tyre nuk ndigjohet askund.
Një zë i tyre në Parlament do ishte një revolucion i vertetë për atë system politik që në këto dy dekadat e fundit, jo vetëm i tradhëtuan interesat e tyre, por i kanë mjelë ekonomikisht dhe politikisht. Me premtime i kanë mashtruar sa herë e sa here që vijnë fushatat, por mbi të gjitha në qoftë se emigrantët do votojnë në vendin ku jetojnë, këta do jenë vetvetja, në mbrojtjen e të drejtave të tyre, në çuarrjen e një fryme të re në Parlamentin shqiptar, do jenë një zë i perëndimor ashtu siç i karakterizon vetë jeta e tyre.