Dëshmia rrëqethëse e gruas për ish-burrin: Tha, “s’ngriheni gjallë’ dhe…

361

Gjykata për Krimet e Rënda pritet të rigjykojë një 37-vjeçar të akuzuar për tentativën e vrasjes me armë zjarri të ish-bashkëshortes së tij, shkruan “Panorama”. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tij në Dobraç të Shkodrës, në maj të vitit 2015, ku ai ka qëlluar disa herë me kallashnikov drejt ish-gruas, e cila jetonte në katin tjetër të së njëjtës banesë, fatmirësisht pa e lënduar.

Dosja në ngarkim të Fran Çorrit do të shqyrtohet nga e para në zbatim të vendimit të Apelit për Krimet e Rënda. Më 18 prill, Apeli prishi vendimin e Shkallës së Parë të qershorit 2016, ku Çorri u dënua me 26 vjet heqje lirie.

Sipas Apelit, Shkalla e Parë kishte shkelur procedurën e njoftimit të pandehurit, gjykimi ndaj të cilit nisi në mungesë të tij. Referuar vendimit të gjykatës, bashkëshortët Çorri ishin divorcuar, por jetonin në të njëjtën banesë, në kate të ndryshme. Sipas dëshmisë së ish-bashkëshortes së të pandehurit, Maria Shenaj, më 12 maj 2016, në orët e darkës, i pandehuri Fran Çorri ka ardhur në shtëpi i çoroditur. Kur ajo e ka pyetur nëse dëshironte t’i shtronte për të ngrënë, i pandehuri ka refuzuar duke u shprehur: “Jo, nuk dua! Ikni flini ju se nesër në mëngjes nuk ngriheni gjallë”.

Sipas dëshmitares, vetëm pak çaste më vonë ai ka marrë një automatik dhe ka hapur zjarr drejt saj. Në dëshminë e saj, Shenaj ka rrëfyer edhe momentet kur është mbyllur në banjën e banesës për t’iu shpëtuar plumbave.

“Në momentin e fundit e futi armën brenda te dera e banjës se u thye xhami. E ktheu armën anash në drejtimin që isha unë. Qëlloi edhe dy herë të tjera. Unë isha aty duke bërtitur. Fishekët kanë rënë një pëllëmbë larg meje. Kur nuk dëgjova më të gjuante me armë, kam dalë. Kam dalë jashtë dhe kam kërkuar fëmijët”, thuhej në dëshminë e ish-bashkëshortes së Çorrit. Panorama.