“Fiksimi” për derbin, zbulohet premtimi i Halilit te Tirana. Superpremio për fitore pas 5 vitesh

88

“Fitoni derbin me Partizanin dhe do t’i jap skuadrës një supershpërblim”. Presidenti Refik Halili nis “luftën” me të kuqtë, edhe pse më parë skuadra e tij duhet të luajë me Skënderbeun këtë të premte.

Gjithsesi, bosi i Tiranës në një mbledhje kohë më parë, pasi ka folur me ekipin për gjendjen e grupit, ka kërkuar nga skuadra të bëjë kthesën e madhe, që realisht ka nisur prej takimit me Flamurtarin në 2018-ën. Në bashkëbisedim e sipër, Halili u ka thënë lojtarëve që ai dhe klubi Tirana këtë vit, veç rezultateve pozitive dhe kthesës në kampionat, kërkon një dhuratë, edhe pse në fakt kjo ndeshje dhe fitorja në atë sfidë është detyrim për popullin bardheblu.

Jo vetëm për të, por më shumë për tifozët e ekipit. Numri një i Tiranës i ka vënë kusht ekipit që pas pesë viteve dështimesh në derbi, këtë herë duhet të fitojnë ndaj Partizanit, madje edhe barazimi nuk pranohet. “Nga ju kërkoj që të fitoni çdo ndeshje. Gjithçka do të jetë shumë më mirë se në të kaluarën. Veçanërisht dua që skuadra të fitojë në derbin me Partizanin.

Nuk mund të vazhdojmë më shumë se pesë vite pa fituar derbin. Tifozët kanë të drejtë që janë të mërzitur. Fitorja duhet të jetë vetëm për ta. Nëse fitoni, të jeni të bindur se do t’ju jap një supershpërblim”, mësohet t’u ketë thënë Halili lojtarëve. Presidenti nuk u ka zbuluar shumën që do t’u japë futbollistëve në rast fitoreje, por ajo do të jetë e konsiderueshme. Fakt është që Tirana nuk fiton një derbi prej pesë vitesh.

Fitorja e fundit e bardhebluve daton më 7 shkurt 2014, kur 24 herë kampionët dolën fitimtarë falë një goli të brazilianit Xhilberto. Më pas, bardheblutë janë endur mes barazimeve dhe humbjeve, duke mos shijuar dot një fitore në derbi, edhe pse disa herë kanë qenë në avantazh. Edhe këtë sezon, Tirana është mundur dy herë në derbi, 0-1 dhe 1-2. Madje, në derbin e fundit, ekipi ishte në avantazh me një gol të Grent Halilit, por tifozëria pa sesi të kuqtë përmbysën rezultatin me dy gafa në mbrojtje të bardhebluve.

OLSI AVDIAJ