Kryeministri “maturant”

314

Do të ishte një foto e zakonshme e mbrëmjes së maturës, nëse nuk do të ishte për personin që shfaqet në sfond.

Bëhet fjalë për kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, i cili u shfaq papritur duke vrapuar në Vancouver, pranë një grupi të rinjsh me veshje festive, me rastin e mbrëmjes së maturës.

Fotografi i tij zyrtar, Adam Scotti e postoi foton në rrjetin social “Twitter”, duke e shoqëruar me fjalët “sezon festash në Vancouver”. Nga fotoja duket sikur të rinjtë as nuk e kanë vënë re kryeministrin, teksa vrapon pranë tyre me veshje sportive. Por një student rrëfeu për mediet kanadeze se, ata jo vetëm e kishin parë, por edhe i ishin lutur t’u bashkohej për një “selfie” së bashku.Udhëheqësi simpatik duket se i ka zakon shfaqjet e befta nëpër foto, shpesh edhe pa bluze. Në gusht të vitit 2016, ai u fotografua gjatë pushimeve në Tofino të British Columbias, teksa qëndronte pranë një nuseje që po bëhej gati për dasmën e saj në plazh. Në të njëjtin muaj, një familje u ndesh papritur me të, teksa dilte nga një shpellë në një park të Quebeckut. Në këtë rast, “selfie”-n me kreun kanadez e bëri djali 13-vjeçar i familjes, Aleksander Godby.