Maska që çorri maskat

Kryesore Opinion

Dr. Luan Zyka /

Heshtja ka pushtuar gjithshka, dhe zëri i njeriut nuk dëgjohet më as në rrugë, as në shkolla, as në kisha, as në kafene…

Dr. Luan Zyka

Të gjithë presin orën 18,00 me sy e veshë mbërthyer pas televizorit duke pritur me përgjërim lajmet e reja nga profesor Tsiordhas, epidimiologu star i televizioneve greke.Koha shtanget; as mbrëmje, as ditë, as natë, as dritë.Kohë në dy kohë, midis jetës dhe vdekjes.

Ashtu si edhe vetë viruset, të cilat bota shkencore nuk mund ti klasifikojë nëse bëjnë pjesë në materien e gjallë apo atë materiale.Dhe ja, epidiomologu star doli në ekran duke na treguar me zë pakëz të dridhur për koronavirusin; sa njerës ka vdekur, sa prashikohen të vdesin, si futet virusi dhe si lëviz në trupin tonë…

Mes të panjohurave të tjerave, nuk është e qartë se si transmetohet virusi nga një njeri tek tjetri.

– Po me maskën, si duhet vepruar nga ne, njerëzit jashtë spitaleve ? – pyet dikush profesorin epidiomolog. Ai ul kokën, duket që kjo pyetje e mundon.Si është e mundur që shkencëtari nuk mund ti përgjigjet kësaj pyetje të thjeshtë ?! Pse duhet hezituar për diçka kaq të thjeshtë ?

Kjo gjendje më irritonte në atë masë, sa më dukej se ai shkencëtari serioz dhe krishteri i mirë, tani po i vinte një maskë vetes kur përgjigjej – përveçse mjekëve në spital, për njerëzit jashtë, ka mendime që thonë se maska nuk është e nevojshme, si ka edhe të tjerë që thonë se maska duhet vënë edhe në rrugë.

Mirë virusi, e dimë që është dhe nuk është materie e gjallë, po maska, duhet vënë apo jo ?!

Pse kaq droje për maskën, për këtë maskë të thjeshtë që mund të shpëtojë jetë njerëzore ?

Kjo është e vetmja maskë e sinqertë që mund të vihet mbi pafytyrësinë njerëzore.Dëgjon liderët e shteteve, ata triumfatorët që deri dje flisnin si absolutë për bursat, ndërsa sot nuk dinë se ç’të thonë për maskën.

Ata që janë mësuar gjithë jetën me maska, pse vallë i tundon maska e vërtetë?Në vendin tim ndaluan lëvizjen e njerëzve, ndaluan edhe hyrjen e shqiptarëve nga jashtë.Disa emigrantë shqiptarë të çartur, i behën në kufi.Nuk lejohet më hyrja në Shqipëri, u thanë. Na infektoni.Por, pas tre netësh që shteti amë i la në dheun midis dy kufijve, si virusë infektues midis botës së gjallë dhe të vdekur, ata u lejuan të hynë dhe të vendosen në një hotel.

Kishte paguar për qëndrimin e tyre 14 ditë një biznesmen i diasporës. Nuk u fol fare për maskë.Nuk do mend se çdo njeri duhet të pajiset me maskë, por maskat prodhohen lirë në Lindje, dhe biznesmenët perëndimorë të fabrikave të konfeksioneve nuk u leverdis të prodhojnë maska.

Prandaj më e mirë maska e heshtjes, një maskë më shumë mbi maskat e pafytyrësisë së tyre të pa nginjur.

Shkencëtarët nuk flasin të lirë sepse edhe ata, veç saktësisë shkencore, i mundon edhe opinioni i njerëzve.Sepse star sistemi i populizmit nuk toleron gabime, dhe nëse shkencëtari gabon me maskën do të bien like-et në facebook.

Sepse shoqërinë e drejton tanimë numuri në facebook.Dëgjova një drejtuese emisioni televiziv kur tha – duhet ta vemë maskën edhe në shtëpi gjithë ditën, që të mos hamë shumë dhe të mbajmë linjat trupore…Dhe kishte të drejtë zonja, apo zotërija sepse mund të kishte vënë ndonjë maskë zonje, brenda dhe jashtë. Përditë mes maskave jeton.

Ekrani është kthyer në maskë të përhershme para syve të verbuar të njerëzimit.Maska është gati, sapo dalim nga shtëpia, ne veshje, në fytyrë, në buzëngërdheshje…

Maska nuk është veçse simboli i dukshëm i koronavirusit që po gjunjëzon botën njerëzore. I atij virusi që teksa ka hyrë në thelbin e botës biologjike, në genin tonë, sikur do të thotë: – Këtë ADN, ku natyra ka depozituar gjithë udhëzimet e jetës suaj, ju njerëzit e keni degjeneruar.

– Ju njerëzit, që keni deshifruar shumë ligje të natyrës dhe keni shpikur mrekullira, nuk mund të përdhosni ligjin e jetës që është këtu brenda kësaj mrekullie që quhet ADN.

– Ju, shpikët numurat, por nuk mund të vendosni me ligjet e numurave të biznesit raportin jetë-vdekje, siç po bëni tani duke u hequr nipërve dhe mbesave gjyshërit e tyre.

– Ju e zëvëndësuat përrallën e djepit me ballon e maskave.

– Ju, njerëzit, duhet të mendoni vetëm për jetën, atë thelbësoren, të vërtetën.Por ju e shpërfytyruat jetën duke vënë maska gjithandej.

Maska kaq të sofistikuara sa nuk dallohen nga fytyra e vërtetë, ajo fytyrë e amshuar që i jep mëma natyrë bebes kur e nxjerr në dritë. Kjo maska koronavirusit, na zbuloi fytyrën e vërtetë. Hipokrizinë që na ka pushtuar kudo…

Veshja si maskë, sjellja me maskë, politika me maskë…

Sa mund të zgjasë kjo tragjikomedi me maska, ku aktorë dhe spektatorë janë të njëjtët, po ata ?! Fjalorët shkruajnë se termi maskë ka prejardhjen nga arabishtja “maskarah”. O njeri, e shikon ?!

Maskara dhe maskaradë !Koronavirusi ka hyrë atje, në bërthamën tonë qelizore, në ADN, në zanafillën e jetës sonë. Ai po na kujton mesazhin biblik – “Në fillim ishte logos”. Ku “logos” është llogjika.T ani që duhet patjetër vënë maska e shpëtimit të jetës, po bien maskat e allogjikes. Skena u ndriçua. Spektatorët po ngrihen duke shikuar njeri-tjetrin të mpirë kaq kohë pas maskave.

Po përqafohen vështrimet, frymarrjet, lëvizjet e gjymtyrëve.Dhe pas kësaj, çfarë do të ndodhë ?

A do të reagojë shoqëria njerëzore ndaj maskave hipokrite ?!

Apo njerëzimi i mësuar tashmë me maska, pasi të kalojë pandemia, do hyj në rradhë për të prerë biletën e tragjikomedisë së ardhshme…