Si po ndikon COVID -19 te bizneset shqiptare në Greqi

238

Është e vërtetë që COVID-19 ka alarmuar tërë botën, që nga shtetet më të forta deri tek ato më të dobëta. Kjo epidemi do shkruhet në historinë moderne si një plagë për njerëzimin, sepse numri i të infektuarve ka kaluar mbi një milion, kurse vdekjet kanë arritur mbi 80.000. Por çfarë do të shkruajë historia për anën ekonomike? Do të jetë një faqe e zezë për historinë e ekonomisë apo do transformohet në një “success story”?

Greqia është një nga shtetet që reagoi shumë shpejt dhe mori gradualisht masa, jo vetëm për të kufizuar ritmin e përhapjes në masë të virusit, por dhe për të rregulluar situatën në ekonominë reale. Në fillim, më 28 shkurt u anuluan karnavalet dhe festat fetare. Gradualisht u mbyllën shkollat dhe teatrot, kinematë, kafenetë, qendrat tregtare e gjykatat. Në datën 16 mars  shteti deklaroi karantinën e përgjithshme, e cila vazhdon deri më sot.

Për ekonominë, shteti erdhi në marrëveshje me institucionet e bashkimit evropian dhe garantoi fonde të larta. Për punonjësit që ju mbyll puna me vendim qeverie do jepet 800€ si shpërblim dhe do kenë lehtësime për pagesën e qirasë. Gjithashtu, për biznesmenët ofrohen masa shpërblimi 600€-800€, ulje e siguracioneve edhe taksave (-25%) n.q.s ato paguhen në kohen e duhur, si dhe lehtësimet e tjera për qytetarët të cilët kanë kredi bankare. Tatimi për produktet higjienike, si p.sh.: dorashka, maska, alkool u ul nga 24% në 6%.

Masat ne sektorin e shëndetit duken se funksionojnë mirë, sepse ritmi i përhapjes së COVID-19 është në ulje, edhe numri i viktimave nuk i ka kaluar 90. Në fushën e ekonomisë për bizneset shqiptare që ushtrojë aktivitet në Greqinë e veriut, situata është renduar dhe ka pësuar një rënie të dukshme që shkon nga 20%-80% sipas profesioneve dhe bizneseve të ndryshme, si dhe një rritje te ndejshme të papunësisë. Ky pushimi i menjëhershme dhe i pa parashikuar i ekonomisë si dhe masat që mori qeveria për kufizimin e virusit COVID-19, drejtuan në një rënie të dukshme të zhvillimit ekonomik me probabilitet të madh për falimentim deri në 10% të bizneseve që funksionojnë. Është e dukshme që këto masa ndihmuese janë pozitive por jo të mjaftueshme për të përballuar nevojat e bizneseve që aktualisht vështirësohen.

Në këtë situatë “Lidhja e Biznesmenëve greko-shqiptarë e Greqisë së Veriut” kërkon nga qeveria qendrore dhe lokale të vihen në lëvizje dhe të gjejnë metoda efektive për të ndihmuar këto biznese të ndikuara negativisht nga kriza që të anashkalojnë vështirësitë ekonomike dhe të hynë në ritmin normal të zhvillimit. Sido që të jetë situata, kemi bindjen se ajo do të kalohet qoftë dhe me dhimbje. Për momentin ka rëndësi të jemi të shëndetshëm dhe të gatshëm për të rifilluar aktivitet tona ekonomike me ide dhe praktika të reja. Jemi optimistë.

*Autori është kryetar i “Lidhjes së Biznesmenëve greko-shqiptare në Greqinë e Veriut”