Qeveria e besimit, Rama pas Metës nis biseda dhe me krerët e tjerë të politikës. Pikat e diskutimit

227

Qëndrimi i Ilir Metës për  krijimin e qeverisë së Besimit ka vënë në lëvizje krerët e mazhorancës. Burimet pranë qeverisë kanë bërë të ditur se kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi. Mësohet se takimi është kërkuar dje prej Ramës, ndërsa sot pritet të zhvillohet takimi. Po ashtu saktësohet se temë e takimit pritet të jenë pikat e propozuara si prej Metës dhe Idrizit për zgjidhjen e krizës politike. Po ashtu se veç idesë së krijimit të qeverisë së besimit pjesë e bisedave do të jenë dhe  kërkesat për  krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim, etj. Gjithashtu edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cënimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”.

Si dhe  ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlersimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të  gjitha partitë parlamentare.

Pikë e rëndësishme mbetet dhe kërkesa për thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë.