Raporti i Prokurorisë 2016 : Droga dhe prostitucioni po gjunjëzon qeverinë

284

Raporti vjetor midis të tjerave vë në dukje se është rritur trafiku i drogës dhe i prostitucionit…

Prodhimi dhe trafikimi i narkotikëve është rritur me 38.7 %, theksohet në këtë raport të Prokurorisë, ndërsa prodhimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike për vitin 2016 përkundrejt numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi, është 8,4 %, kundrejt vitit 2015 me 5,9 %.

Koefiçenti i kriminalitetit për 100 000 banorë për këtë grup veprash në vitin 2016 është 91,8, ndërsa në vitin 2015 ka qenë 65,9. Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2016 ka një rritje prej 38,7 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë grup veprash penale në krahasim me vitin 2015. Ndërkaq kemi rritje prej 53,4 % të procedimeve të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2015.

Në lidhje me të pandehurit, për këtë grup veprash penale, vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2015 prej 29,8 %.

Shfrytëzimi i prostitucionit, 17 % kryhet vetëm në Tiranë

Nga të dhënat statistikore vihet re tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 114 i Kodit Penal “Shfrytëzimi i prostitucionit”, në vitin 2016 me  28 % në krahasim me vitin 2015. Numri më i madh i procedimeve  për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit është regjistruar në prokurorinë e shkallës së parë Tiranë, konkretisht 17 % e numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Prokuroria e shkallës së parë Korçë ka regjistruar 14 % të procedimeve në shkallë vendi, prokuroritë e  shkallës së parë Vlorë e Durrës kanë regjistruar 12 % të procedimeve në shkallë vendi, prokuroria  e shkallës së parë Elbasan ka regjistruar 8 % të procedimeve, prokuroritë e shkallës së parë Fier, Lushnjë e Shkodër kanë regjistruar rreth 5 % të procedimeve në shkallë vendi, prokuroritë e shkallës së parë Berat e Lezhë kanë regjistruar 3 % të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi dhe prokuroritë e shkallës së parë Dibër, Gjirokastër, Krujë, Kukës, Kurbin, Pogradec e Sarandë kanë regjistruar 1 procedim penal për vitin 2016 ose 2 % të totalit./lapsi.al