Robert Goro: Pësimi që bëhet mësim, historia e një lajmi për Shqipërinë në Greqi

62

Një gazetar i “Epokës dixhitale” mund të jetë kureshtar se si funksiononte profesioni ynë në epokën para internetit.

Atë fillim të viteve 1990, kur gazetat në Shqipëri ende përgatiteshin në linotyp, as që mund të bëhej fjalë për komoditetet e sotme, kur lajmi apo më mirë bërthama e lajmit të mbërrin sakaq në ekranin e kompjuterit, tabletit apo celularit. Atëherë lajmin duhej ta zbuloje, ta peshkoje – dhe ky nuk është ndonjë eufemizëm. Kjo mendoj se është një nga bukuritë e “zejes” e njëherazi misionit tonë. Sigurisht, që gjetja dhe zhvillimi i lajmit ishte një punë shumë e vështirë, aq më tepër për korrespondentin e huaj. Dhe sidomos kur atij i duhej të përgatiste jo vetëm intervista dhe reportazhe tematike, që mund t’i realizonte brenda një afati optimal.

Kjo, me gjithë vështirësitë objektive, ishte një luks, po të merrje parasysh që unë duhej çdo ditë të transmetoja kronika që kryesisht lidheshin me emigrantët shqiptarë në Greqi. Ngjarjet me këtë temë ishin të shumta, gati të përditshme; por zakonisht pasqyroheshin me vetëm disa pak rreshta në faqet e brendshme të gazetave, me përjashtim të ngjarjeve të bujshme. Por edhe në këto raste gjykoja –ndoshta jo gjithmonë me të drejtë-, se pasqyrimi i ngjarjeve që lidheshin me emigrantët bëhej me doza të ekzagjeruara subjektivizmi, njëanshmërie dhe paragjykimi; rrjedhimisht nuk mund t’i “zije besë”.

Por edhe sikur të mos ndodhte asgjë nga këto, nuk duhej injoruar fakti se media vendase i drejtohej publikut po vendas; lajmet përgatiteshin duke pasur parasysh atë publik, prandaj, nuk mund të ishte burim i saktë dhe i plotë për kronikën time, që i drejtohej dëgjuesit shqiptar. Ishte e qartë se duheshin gjetur edhe burime të tjera, duheshin zgjeruar lidhjet dhe kontaktet e korrespondentit.

Në atë kohë në Athinë funksiononte një organizim mjaft aktiv i korrespondentëve të shtypit të huaj. Për shkak të luftës në Bosnje dhe zhvillimeve më gjerë në Ballkan, gjithë mediat më të mëdha të botës, gazeta, televizione, agjenci, kishin stacionuar në Athinë gazetarët dhe byrotë e tyre rajonale. Me shumicën e kolegëve të huaj takoheshim çdo ditë, nga e hëna deri të premten, te bari “Jimmy’s”, që për nga klientela më kujtonte gjithmonë “Bar Ëest-in” në Tiranë, vendtakimin e gazetarëve të asaj kohe. “Jimmy’s” ndodhej fare pranë godinës së lidhjes së korrespondentëve të huaj dhe ministrisë së shtypit, ku zëdhënësi i qeverisë bënte “briefing”-un e përditshëm.

Kolegët e huaj kishin vendosur kontaktet e tyre në Greqi, që me bujari m’i jepnin edhe mua. Mirëpo, shumë shpejt, krijova edhe unë kontaktet e mia specifike. Kudo që telefonoja dhe prezantohesha si korrespondent i BBC-së, përgjigjja pozitive ishte e menjëhershme, po ashtu dhe hapja e dyerve. Nga drejtoritë e policisë në rrethe, pikat e kalimit të kufirit, ministritë – të gjithë ishin të predispozuar e të gatshëm të me jepnin in formacionin që më nevojitej. Gjithandej dalloja një vlerësim të lartë, një adhurim gati fetar për median ku punoja dhe këtë unë ia dedikoja prestigjit të padiskutueshëm që gëzonte BBC kudo në botë.

Por Kostas Simitis, që ishte kryeministër i Greqisë në periudhën 1996-2004, do të më thoshte para një interviste, se kjo dashuri e madhe e grekëve –të cilët përgjithësisht kanë një alergji të madhe për gjithçka britanike ngase e konsiderojnë Londrën si përgjegjësen kryesore për fatkeqësitë e tyre historike-, kjo dashuri e madhe e grekëve pra, lidhet me mbështetjen e çmuar që BBC, sidomos nëpërmjet shërbimit grek, i kishte dhënë lëvizjes kundër juntës ushtarake që sundoi vendin për një shtatëvjeçar, deri më 1974.

“Ishte një nga burimet më të rëndësishme të lirisë, duke u dhënë zë shumë personaliteteve, por edhe njerëzve të thjeshtë që ngritën zërin e tyre kundër diktaturës”, më kishte thënë Simitis. Shprehje e këtij vlerësimi të lartë ishte dhe kërkesa e deputetëve grekë në 2005, kur BBC vendosi të mbyllte shërbimin në gjuhën greke, që të vazhdonte punën, duke ia mbuluar parlamenti i Athinës shpenzimet. Kështu, falë admirimit të grekëve për BBC-në, unë arrija ta bëja mirë –besoj-, punën time, nisur edhe nga parimi i shenjtë që iu impononte punëdhënësi im gjigand gjithë gazetarëve të vet dhe që na e përsëriste vazhdimisht shefi ynë i parë i seksionit shqip, Tim Cooke: “Jo më pak se dy burime për lajmin…

Më mirë të dytët dhe të saktë, se sa të parët e me gabime”. Të vetmen herë që e shkela- pa u menduar gjatë-, këtë parim, u ndëshkova me anulimin e pushimeve të mia verore. Ishte korrik 1994. Pas tre muajsh tensionimi të rrezikshëm midis Athinës dhe Tiranës, u vendos një periudhë “armëpushimi”. Ishte një rast i mirë për mua, që me të vërtetë ndihesha i rraskapitur, të bëja disa ditë pushim e njëkohësisht të ndiqja në distancë zhvillimet e situatës, që të paktën për dy javët e ardhshme nuk parashikohej të kishte trazime të reja.

Për të qenë afër Athinës, vendosëm bashkë me time shoqe që të shkonim në Kea, një ishull rreth një orë lundrim nga porti i Lavrios, në juglindje të kryeqytetit. Në ishull mbërritëm në mesditë dhe, ende pa u sistemuar, hapa radion e dorës për të dëgjuar lajmet në stacionin shtetëror ERA. Lajmi i tretë më intrigoi: “Gjermania mbështet qëndrimet e Greqisë në përplasjen e Shqipërinë. Këtë ka deklaruar ministri i jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, gjatë një takimi me ministrin grek të çështjeve europiane”.

Kjo deklaratë e shefit të diplomacisë gjermane, i cili deri atëherë kishte dhënë shenja të paktën neutraliteti, ishte gjithsesi një zhvillim i ri. Aq më tepër që Gjermania sapo kishte nisur atë muaj presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian. Në pritje të edicionit tjetër që ishte pas një ore, bëra disa telefonata në ministrinë e jashtme në Athinë. Por ishte e pamundur të përgjigjej ndokush ditë të shtune në mes të korrikut. Sipas një tradite, gazetat e të dielës shtypeshin një ditë para, prandaj nuk po gjeja kënd as në redaksitë. Telefonat celularë ishin ende një luks shumë i shtrenjtë edhe për gazetarët e mirëpaguar: vetëm aparati kushtonte 250.000 dhrahmi, rreth 1200 dollarë.

Pasi e dëgjova sërish lajmin, u ula dhe bëra një korrespondencë të shkurtër, pa ia vënë veshin kundërshtimeve të sime shoqeje që këmbëngulte se ky nuk ishte një lajm kaq i rëndësishëm; dhe, për më tepër, ne ishim ende me rrobat e udhëtimit, ndërsa duhej të ishim në plazh…Nëpërmjet telefonit ia dhashë kronikën Gëzim Gurit që ishte atë pasdite në Bush House; dolëm, hëngrëm diçka në këmbë dhe u zhytëm në det. Mirëpo, nuk më rrihej. Pavarësisht se e kisha cituar tri herë radion shtetërore greke –që ishte një burim i besueshëm-, nuk e kisha atë “burimin e dytë”, që do të më rikthente qetësinë. Sa kalonte koha, aq më tepër shtohej pendimi që e kisha dhënë lajmin.

Për raste të tilla thuhet “shejtani fle, ti e zgjon nga gjumi”… (Më vonë do të merrja vesh se lajmi im kishte shkaktuar pështjellim në Tiranë, ku qeveria e atëhershme e konsideronte Gjermaninë si aleaten më të mirë në përgjithësi dhe në përplasjen me Greqinë në veçanti). Mora bllokun, bleva një kartë telefoni dhe u ngula në një kabinë në anë të plazhit. Fillimisht telefonova në radio; aty redaktori ma lexoi lajmin siç e kisha dëgjuar dy herë, por më tha se nuk kishte autor. Kjo më turbulloi edhe më shumë.

Pastaj telefonova në agjencinë shtetërore të lajmeve, ANA. Redaktori i politikës më tha se edhe ata kishin cituar radion si burim të lajmit që kishin shpërndarë. Provova përsëri në ministrinë e jashtme, në zyrën e shtypit dhe atë të ministrit të çështjeve europiane. Por më kot… Atëherë e vendosa: I telefonova një agjencie lundrimesh. I vetmi traget që shkonte nga ishulli me destinacion Athinën, nisej të dielën në mesditë. U kthyem të nesërmen dhe të hënën dola ende pa gdhirë mirë; përndryshe, nuk kisha fjetur thuajse fare. E dija se tensioni Greqi-Shqipëri ishte diskutuar tri ditë më parë në nivel europian, në takimin e ministrave të financave të BE-së. Aty ishte vendosur që Shqipërisë t’i akordohej një fond prej 20 milionë ECU, për programe bashkëpunimi ndërkufitar me Greqinë.

Ky kishte qenë një lajm i mirë, pavarësisht pse Athina vazhdonte me veton e vet të mbante bllokuar një tjetër ndihmë për Shqipërinë, me vlerë 35 milionë ECU, zhbllokimin e të cilës e kushtëzonte me plotësimin e kërkesave që lidheshin me minoritetin grek në Shqipëri. Por në rastin e bashkëpunimit ndërkufitar, Greqia përfitonte edhe vetë, prandaj duket nuk kishte shprehur kundërshtime. Në takimin e të premtes, Athina ishte përfaqësuar nga ministri alternat i financave. Pikërisht në zyrën e tij telefonova atë mëngjes, nga një bar në sheshin Syntagma, afër godinës së ministrisë. “Pasaporta” e BBC e bëri, si zakonisht, punën e vet dhe një orë më vonë u gjenda me mikrofonin në dorë përballë ministrit. Ai më erdhi shumë shpejt në shteg dhe unë lëshova pyetjen e vetme që më interesonte dhe që nuk kishte fare lidhje me financat: “A ka një koment qeveria greke për deklaratën që sillet të ketë bërë zoti Kinkel?”.

“Solidariteti ndërmjet vendeve anëtare të BE-së është një parim që e kemi gjetur të sendërtuar në rastin e tensionimit të marrëdhënieve me Tiranën. Unë nuk e di se çfarë saktësisht ka thënë zoti Kinkel. Por ajo që mund t’ju them me përgjegjësi të plotë është se të njëjtën deklaratë me zotin Kinkel, pra se Gjermania mbështet qëndrimet e Greqisë, e bëri në takimin tonë të së premtes ministri gjerman i financave, Theo Waigel dhe unë e falënderova para gjithë kolegëve të tjerë”. Kjo ishte! Nuk më pritej sa të mbaroja intervistën. Kisha mundur, më në fund, -qoftë dhe në mënyrë të tërthortë-, të gjeja atë konfirmimin që më mungonte dhe që ishte i mjaftë, të paktën sa për të qetësuar veten time… Është e tepërt të them që atë vit as që e çova më ndërmend të bënim pushime. Por nga ana tjetër, nxora një mësim të çmuar që vazhdoj ta kem parasysh: Kurrë mos i beso diçkaje që nuk e ke parë me sytë e tu dhe nuk e ke dëgjuar me veshët e tu!…/Shekulli/