Në Shqipëri një resort me 5 yje-Rama:I hap rrugën turizmit të cilësisë së lartë

1167

Për herë të parë në Shqipëri do të ndërtohet një kompleks turistik me pesë yje, një investim madhor prej 90 milion eurosh i kompanisë globale të turizmit Melia Group.

Projekti gjigand parashikon ndërtimin e resortit turistik San Pietro në Gjirin e Lalzit, duke i hapur rrugën investimeve të tjera të ngjashme në këtë fushë, me qëllim tërheqjen e sa më shumë turistëve.

I pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve, kryeministri Edi Rama e veçoi rëndësinë e projektit turistik të kategorisë se larte, pasi kjo thyen akullin dhe jep shembullin edhe për të tjerët që të kuptojnë se në Shqipëri jo vetëm është e mundur të ndërtohen komplekse të tilla, por mund të kenë dhe përfitime të posaçme. Me këtë projekt Shqipëria përbën sot një vend dhe më atraktiv në fushën e turizmit, theksoi ai.

Duke vlerësuar pasuritë turistike të vendit, kryeministri u ndal tek mungesa e plotë e vizionit në zhvillimin e turizmit gjatë 25 viteve në Shqipëri, i cili, tha ai, ishte kaotik dhe me paqëndrueshmërinë e tij shkatërroi vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe turistike. E vetmja strategji që shteti pati për turizmin në 25 vjet ishte çorganizimi i organizuar, lejimi i ndërtimeve pa leje buzë detit, madje dhe brenda detit, ngritja e strukturave hoteliere që nuk përmbushnin asnjë lloj kriteri minimal, e jo më pastaj të shërbenin si kartëvizitë e Shqipërisë turistike”, theksoi Rama.

Në këto tre vjet e gjysëm nuk janë bërë mrekullira, vijoi ai, por e vërteta është se sot jemi në një situatë të re, kemi një bazë të rëndësishme që të ndërtojmë të ardhmen e Shqipërisë që duam.

“Ardhja e Melia Group është një lajm jashtëzakonisht i mirëpritur pasi i hap rrugën turizmit të cilësisë së lartë dhe bën të mundur që struktura të tjera me pesë yje të ndërtohen në Shqipëri.
Sot ne jemi në rrugën për të çelur një sezon të ri në kuptimin e historisë së turizmit dhe bindja ime është që në tre-katër vitet e ardhshme ky nuk do të jetë i vetmi kantier, por do të kemi tre katër të tjera që do të sjellin në ekonomi një injektim të rëndësishëm të ardhurash”, u shpreh kryeministri.

Ambicja jonë, theksoi Rama, është të kalojmë të paktën 1 miliardë dollarë të ardhura. Fakti është që në 2016-n turizmi prodhoi në Shqipëri 1.5 miliardë euro duke u shndërruar në një shtyllë shumë të fortë të ekonomisë shqiptare dhe vetëm në një vit, krahasuar me 2015-n, kontributi i turizmit në ekonomi u rrit me 200 milion euro. Dhe më shumë se shifra inkurajuese është potenciali që është shumë i madh. Sipas statistikave edhe të agjencive dhe të infrastrukturës sonë hoteliere, deri në 2015-n, ne arritem të gjenerojmë përmes turizmit 51 mijë vende pune, por projekti ynë i diskutuar dhe vlerësuar edhe nga Banka Botërore dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar flet për mundësinë e krijimit te 250 mije vende pune ne turizëm, vetëm për nje periudhe 7-8 vitet e ardhshme.

Në këte investim te resortit turistik menjëherë punësohen 600 persona dhe me vënien në punë te tij punësohen menjëhere 1500 persona, kjo dëshmon potencialin e madh për punësim nga turizmi./ATSH/




Këtë e pëlqejnë %d blogues: