PDS dhe LSI firmosin marrëveshje bashkëpunimi

1104

Kreu i Lëvizjes Socialsite për Integrim Petrit Vasili dhe ai i PDS-së, Paskal Milo kanë firmosur ditën e sotme një marrëveshje bashkëpunimi që sipas tyre do të jetë kohëgjatë.

“Ishte një moment politik i rëndësishëm dhe sinjifikativ pasi në marëveshjen tonë ne ndërtuam një bashkëpunim politik që ka në themel të tij integritetin politik të PDS, raportin e saj shumë të qartë me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. LSI krahas këtij bashkëpunimi që është bashkëpunim në vizionin tonë, një vizion bashkëpunimi kohëgjatë, që shtrihet dhe përtej zgjedhjeve, dhe bashkuar në këtë kohezion të përbashkët. Një moment politik shumë pozitiv që ecim në hullinë e një bashkëpunimi politik por dhe etike qytetare ku politika shqiptare ka nevojë më shuëm se çdo gjë tjetër për komunikimin të këtij dimensioni”, tha kreu i LSI-së.

Ndërkohë Milo tha: “Marrëveshje që do të materializohet gjatë fushatës zgjedhore dhe në prespektivë gjatë qeverisjes së ardhshme të vendit. Një marrëveshje që nuk drejtohet kundër asnjë partie të tretë, por niset gjithmonë nga interesat për të zhvilluar zgjedhje të lira të ndershme dhe është para se gjithash në interes të të gjithë shqiptarëve. Ta çoj këtë mesazh në të gjithë anëtarësinë e PDS, që të shikojë në këtë marrëveshje që sapo kemi nënshkruar një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në të njëjtën  kohë një garanci që PDS merr se do të ketë mbështetjen e plotë në fushatën e saj elektorale dhe në procesin e administrimit të votave dhe perspektivë e qartë në bashkëqeverisjen e ardhshme të vendit. Është një  model se si dy parti me vlera të përbashkëta bashkëpunojnë me njëra tjetrën, ndonëse nuk na lejohet një koalicion”.

Ndërsa komenti i tij për kërkesën e Partisë Socialsite një ditë më parë që partitë e vogla të çregjistrohen, Milo tha: “Në një kohë kur të tjerët po sillen ndryshe, nuk po respektojnë partitë, përpiqen që partitë të humbasin identitetin e tyre politik dhe integritetin e tyre, kjo marrëveshje shënon një sjellje tjetër politike. Një marrëveshje që mbështetet në vlerat dhe si e tillë na paraqet para opinionit publik shqiptar si dy parti tek të cilat duhet të ketë besim sepse nuk punojnë kundër të tjerëve po bashkëpunojnë me të tjerët. Këtu e kam fjalën kur flas për maksimalizimin e votave. Sepse LSI në këtë moment po dëshmon që është një parti e hapur, që kërkon bashkëpunimin dhe e respekton dhe parti që vlerëson aleatët dhe partnerët dhe nuk i hedh ata përtej në një kohë kur të tjerët kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve dhe ditëve të fundit një sjellje tjetër”, tha Milo.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: