Nga futbolli shqiptar tek mënyra e jetesës, Pedri i Egnatis : Më pëlqejnë sufllaqet ketu, nuk kisha dëgjuar për Shqipërinë

Futboll Sporti

Pedro Augusto Kabral është pa diskutim zbulimi i sezonit në Kategorinë Superiore. Sulmuesi brazilian i Egnatias është vetëm 22 vjeç dhe në 18 ndeshje të luajtura këtë kampionat, ka arritur të shënojë tetë gola.

Pedro bëri tripletë ndaj Vllaznisë, ndërsa me rrogozhinasit ka realizuar edhe dy gola këtë edicion në Kupën e Shqipërisë.

Por kush është Pedro dhe si erdhi në Shqipëri? Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, braziliani tregon detaje pikante për momentin e mirë që po kalon tek Egnatia, por edhe përshtypjet që i ka bërë kampionati shqiptar dhe gjithashtu jetesa në qytetin bregdetar të Durrësit. 22- vjeçari pohon se para se të vinte tek Egnatia nuk ia kishte idenë se ku bie Shqipëria. Kristiano Ronaldo është futbollisti që e frymëzon, ndërsa nga ushqimet dhe gatimet në vendin tonë duket i dashuruar me… sufllaqet.

Pedro, si erdhët në Shqipëri dhe kush ju solli tek Egnatia?

Ishin drejtuesit e klubit të Egnatias ata që kontaktuan me menaxherin tim dhe pas bisedimeve vendosa të vija këtu.

 

Çfarë kishit dëgjuar më parë për futbollin shqiptar përpara se të vinit në Rrogozhinë?

 

Nuk dua të gënjej, por të jem i sinqertë. Jam nga Brazili dhe kurrë më parë nuk kisha dëgjuar për Shqipërinë apo futbollin këtu.

Tani që njihni Kategorinë Superiore, çfarë ju bën më shumë përshtypje nga futbolli që luhet këtu?

Është një kampionat shumë i diskutueshëm dhe niveli i ekipeve është shumë i ngjashëm me njëri-tjetrin.

E prisnit këtë paraqitje të mirë në sezonin tuaj të parë apo nuk jeni të kënaqur me veten për atë që keni bërë deri tani?

Jam i kënaqur me paraqitjen time deri më tani. Por, sigurisht dua që të punoj më shumë dhe të fokusohem për t’u bërë edhe më mirë. Jetoni mes Rrogozhinës dhe Durrësit.

Na tregoni si është për ju një ditë mes futbollit dhe kohës së lirë dhe me çfarë merreni përveç procesit stërvitor?

Unë banoj në Durrës, meqë jemi afër Rrogozhinës. Këtu nuk bëj të njëjtat gjëra që bëja në Brazil. Thjesht stërvitem dhe qëndroj duke pushuar dhe kaluar kohën me gruan time. Na pëlqen të dalim për të ngrënë darkë. Por nëse mund të zgjidhja, më pëlqen plazhi, volejbolli i plazhit dhe dielli.

Kush është shoku juaj më i ngushtë tek Egnatia dhe me kë shoqëroheni më shumë?

Xhekson Kenio, pasi të dy vijmë nga Brazili. Flasim të njëjtën gjuhë, si dhe ai më ka ndihmuar më shumë për t’u përshtatur me ambientin, pasi ka ardhur para meje këtu. Kush është sulmuesi që ju frymëzon në futbollin botëror dhe a e keni vërtet

Keni një parashikim se me sa gola mund ta mbyllni sezonin e parë tek Egnatia?

Sigurisht që dua të bëj sa më shumë gola dhe të bëj me të mirën për të kontribuar për ekipin. Pjesën tjetër ia lë në dorën e Jezusit.

E shikoni veten në një kampionat apo klub më të fortë apo do të vazhdoni të qëndroni te skuadra rrogozhinase?

Normal që synoj të bëj progres dhe të ngjitem sa më lart në karrierë. Që në fillim kur kam ardhur këtu fokusi im ishte të bëja atë që po bëj tani dhe të ndihmoj Egnatian në mënyrën më të mirë. Pasi duke dalluar në këtë mënyrë mund të më hapet rruga për të shkuar në një ligë më të fortë.

Cili është sulmuesi që ju pëlqen më shumë nga klubet shqiptare?

Partneri im brazilian tek Egnatia. Xhekson Kenio është një lojtar i madh.

Me cilin mbrojtës keni pasur më shumë probleme deri tani në Superiore?

Nuk kam ndonjë emër specifik. Të gjitha skuadrat janë të vështira për t’u ndeshur, kryesisht ndaj mbrojtjeve të tyre.

Besoni se Egnatia do të mbijetojë në Superiore në fund të sezonit?

Sigurisht që besoj te mbijetesa dhe fokusi ynë i punës është kryesisht për të arritur këtë objektiv.

Cili është ushqimi juaj i preferuar në Shqipëri?

Sufllaqet janë shumë të mira.

Jeni të kënaqur me pagën që merrni apo do t’i kërkoni presidentit rritje rroge?

Sigurisht që ne duam gjithmonë më shumë, por kjo nuk më takon mua për të kërkuar. Nëse presidenti mendon se e meritoj, do të ishte mirë (qesh).