Arlinda Gjonaj / Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot pasdite një takim me të rinjtë në sheshin “Nënë Tereza”, nga ku përcolli mesazhin se Shqipëria që duam nuk është një demagogji dhe se ajo bëhet nëse ata e duan atë.
“Besoni tek ëndrra që shikoni me sy hapur. Shqipëria që duam nuk është e pamundur e demagogji, as një ëndërr në beze. E gjitha lidhet me dashurinë që ne kemi për Shqipërinë”, iu drejtua Kryeministri të rinjve. Shqipëria që duam është një projekt, vizion, program, është vendosmëria e të gjithëve ne, vijoi Rama, për t’i provuar vetes e të gjithë atyre që kanë punuar për Shqipërinë, që ky vend nuk do të jetë peng i të korruptuarve që e kanë ushqyer popullin me idenë që nuk bëhet. Për kryeministrin Edi Rama rëndësi themelore ka fakti që Shqipëria që kishim dhe Shqipëria që kemi janë njësoj, kur vjen puna te drejtësia. “Ndoshta me një ndryshim të vogël. Në Shqipërinë që kishim gjykatës e prokurorë nuk kishin frikë. Sot ata kanë frikë. Frika e tyre sot është vetëm frut i imagjinatës. Frika i ka mbledhur në çadër për t’u mbrojtur nga Shqipëria që duam”, deklaroi kryeministri.
Duke ftuar të rinjtë të gëzojnë tek e ardhmja e vendit, e të mos përdorin pamundësinë si arsye për të mos punuar për të ardhmen e tij, Kryeministri Rama solli në vëmendje historinë e një të vajze nga Fushë-Kruja, e cila edhe pse vinte nga një familje e thjeshtë pak më shumë se e varfër, ia doli të bënte ëndërrën e vet realitet duke u kthyer nga një aktivitet ndërkombëtar me çmim.
“Nëse individualisht të rinjtë nuk e shikojnë jetën e tyre peng të mundësive që kanë, më besoni që Shqipëria që duam është e gjitha në dorën tonë. /a.g