Kryeministri socialist Edi Rama vazhdon të këmbënguli se synimi i qeverisë së tij të re do të jetë transformimi i administratës shtetërore dhe pastrimi i saj nga zyrtarët që keqpërdorin funksionet e shtetit.
Zoti Rama zhvilloi të mërkurën një takim me banorë të Vlorës, ku problemet me pronat ishin ankesat më të shumta që qytetarët i paraqitën kryeminsitrit.
Sipas zoti Rama kjo problematikë e trashëguar më së shumti lidhet me mungesën e një baze të dhënash për të cilën aktualisht po punohet, por edhe me mosdhënien e një zgjidhjeje nga zyrat përkatësse të shtetit, të cilat shpeshherë nuk u japin përgjigje korrekte qytetarëve dhe nuk i trajtojnë ata me dinjitet. “Duhet të transformojmë komplet sjelljen e administratës shtetërore. Pra edhe në bashki edhe në zyrat e shtetit të administratës qendrore kemi probleme të mëdha në Vlorë me njerëzit që janë në kontakt me publikun. Dhe do ta korigjojmë” premtoi zoti Rama.
Kryeministri u shpreh se duke u regjistruar edhe në platformën online, të bërë publike prej tij pak ditë më parë, qytetarët e zakonshëm jo vetëm do të kenë mundësinë të paraqesin ankesat që nuk kanë gjetur përgjigje në zyrat e shtetit, por dhe të bëhen pjesë e koalicionit për bashkëqeverisjen e vendit. “Çka më shumë Dule dhe Ndoka më shumë se ju? Edhe ata futen në koalicione dhe bëhen ministra. Pse mos të futet një njeri i zakonshëm në qeverisje?” tha zoti Rama. “Regjistrohesh dhe çdo problem ngrihet në kohë reale dhe administrata përgjigjet në kohë reale!” shtoi ai. Zoti
Rama sqaroi se nëpërmjet kësaj platforme do të bëhet i mundur identifikimi i zyrtarëve të cilët i keqpërdorin funksionet e tyre. “S’kemi luftë me partitë e opozitës, por detyra jonë është të luftojmë armikun publik numër 1, që është paraziti dhe grabitqari që rri me paratë e shtetit në zyrat e shtetit. Kjo luftë mund të zhvillohet me sukses vetëm nëse njerëzit e zakonshëm përfshihen në bashkëqeverisje” tha kryeministri Rama.