Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një takimi me banorët e Beratit deklaroi se e vetmja gjë që nuk ka për të ndodhur nga protestat e opozitës është që të preket qeveria.
Sipas tij, këto protesta dëmtojnë imazhin e Shqipërisë sepse shfaqet si një vend ku nuk duhet shkuar për tu vizituar apo për të investuar.
“Thirrjet për ndryshimin e qeverisë me dhunë i ka parë Shqipëria dhe kujtuam se nuk do bëheshin më budallallëqe të kësaj natyre. E vetmja gjë që nuk preket është qeveria. Nuk preket dot. Përkundrazi po të ishte për qeverinë dhe shumicën në parlament, as nuk t’i hynim fare këtij muhabeti dhe këtyre rreziqeve. Por preket Shqipëria, sepse shfaqet si një vend ku nuk duhet shkuar për të investuar dhe për ta vizituar. Pra preket çdo familje dhe çdo individ që jeton në Berat.
Nëse urën për të ardhur këtu e kalojnë më pak vizitor, ka më pak para që qarkullojnë këtu dhe më pak para për ata që ndërtojnë biznese të vogla apo bujtina. Pra ka më pak lekë që shkojnë në shtëpitë e tyre. Ata që nisen nga Berati apo çdo qytet tjetër për të shkuar pas Berihait, por duhet të kuptojnë se nuk kanë çfarë ti bëjnë qeverisë dhe as qeverisjes socialiste, por kanë ç’i bëjnë vetes. I bien vetes sepse mbyll tjetri dyqanin dhe shkon pas Berihait në Tiranë. Ai dyqani shet më shumë kur vijnë vizitore këtu”, tha Rama.
Rama bëri edhe disa batuta lidhur me aktualitetin politik në vend sa i përket thirrjeve të opozitës dhe deklaratave se do të rrëzojë qeverinë duke thënë se, “as në kafenenë e fshatit nuk ka burra që i hanë këto muhabete se gratë as që bëhet fjalë. Ndaj ju them grave ti mbajnë burrat prej xhakete dhe të mos i lënë të shkojnë pas berihait në Tiranë, se si do që vjen puna në fund të fundit ju i keni punët në dorë. Burrat socialistë bëjnë ndonjë punë por burrat demokratë nuk i bëjnë asnjë punë grave”.
Kryeministri deklaroi se beson që opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit, por edhe nëse jo, sipas tij nuk prish ndodnjë punë, dhe shprehu sigurinë se do të fitojë edhe tre bashki të cilat drejtohen nga radhët e opozitës.
“Në qershor do të fitojmë edhe tre bashkitë që kanë, Beratit Poliçanit dhe Skraparit. Thonë nuk hyjmë në zgjedhje, unë them se ata do të hyjnë, po nuk hynë asgjë nuk na prishin, Luli me Monën, Mona me Lulin, ju me ne, ne me ju dhe kaq”.