Forcat e Armatosura kanë marrë nën kontroll perimetrin e aeroportit të Rinasit. Blindat e Policisë Ushtarake do të sigurojnë perimetrin.
“Masat e sigurisë, deri në vendosjen të asaj që duhet të kishte bërë koncesionari që në fillim, do të përforcohen edhe përmes nesh, sigurisht në mbështetje të të gjitha organeve të tjera ligjzbatuese”, tha Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes.
Por, Presidenti Ilir Meta i kërkoi shefit të shtabit të ushtrisë llogari për lëvizjen e ushtrisë në një operacion sigurie në aeroport. Përgjigjja u dha nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila shkoi vetë pranë trupave që po ruajnë aeroportin. Ajo tha se nuk ka shkelje të Kushtetutës dhe se nuk ka dislokim të mirëfilltë të forcave ushtarake sepse nuk jemi në luftë, por ajo shtoi se prania e ushtrisë lidhet me faktin se një pjesë e aeroportit të Rinasit është bazë ushtarake, ndërkohë, nga ana tjetër janë angazhimet e sigurisë që Shqipëria ka në kuadër të marrëveshjeve me NATO-n.
Ndërkohë, ministrja tjetër Belinda Balluku, e cila është përgjegjëse për infrastrukturën, tha se kontrata e koncesionit ka probleme. Edhe pse janë vendosur gjoba për mosplotësimin e standardeve, ato janë të parpërfillshme nga ana financiare, pasi bëhet fjalë për shifra qesharake. Sipas saj, koncesionari nuk ka përmbushur rekomandimet për sigurinë të kërkuara pas grabitjes së parë, të ndodhur në vitin 2016.
Ajo tha se do të ulet në bisedime me krerët më të lartë të kompanisë kineze dhe do të kërkojë rritjen e masave të sigurisë.
Top Channel