Kreu i partisë LIBRA, Ben Blushi deklaroi gjatë një fjalimi të mbajtur në Kuvend se sot po ndodh ajo çka ai kishte paralajmëruar dy vjet më parë, funerali i Rilindjes.
Sipas Blushit kjo ndodhi se Rama erdhi në pushtet me votat e socialistëve dhe qeverisi me një grup keqbërësish.
“Kam një lajm të mirë për të gjithë shqiptarët, Rilindja po bie. Më vjen mirë që para dy vitesh shpalla funeralin e Rilindjes. Me ndihmën e pakursyer të të gjithë shqiptarëve, kanabistët dhe krenaristët e bënë vetë pjesën e mbetur të funeralit. Sot Rilindja është e ngordhur, pa frymë, dhe është gati për ta varrosur”, tha kryetari I LIBRA-s.
Më tej ai e krahasoi Rilindjen me një bishë të uritur e të tërbuar, që kishte vetëm oreks, jo mend, jo ide, prandaj kafshët e pyllit sot janë mbledhur për ta zbuar.
“Mendoni sikur jemi në një pyll dhe aty hyn një bishë e uritur e tërbuar, që vetëm do të hajë e kafshon, nuk ka mend, as eksperiencë, kjo ishte Rilindja, kishte vetëm oreks, jo mend, jo ide, jo pasion, jo shpirt dhe kjo është arsyeja që sot kafshët e pyllit janë mbledhur për ta vrarë e zbuar, rrugë tjetër nuk ka duhet të heqim Rilindjen qafe që të shpëtojmë vendin. Pse ndodhi kjo? Për shkak të një njeriu, të Edi Ramës. Ky erdhi në pushtet me votat e socialiste edhe qeverisi me një grup keqbërësish. Kjo ishte Rilindja e parë në botë që ka kaq shumë xhinde dhe nuk ka një poet. Kush ishte moda e Rilindjes në këto katër vjet? Rilindja gjithçka, LSIja di çka, PDIU paçka”, vijoi ai. /E.SH/Shekulli Online/