Prej disa muajsh, bashkë me shumë kolegë dhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria, po përpiqemi për krijimin e një Projekti të ri politik.
Ne duam t’i japim vendit një mjet më shumë në luftën kundër varfërisë, padrejtësisë dhe pabarazisë. Ajo që ëndërrojmë është një platformë lirie, e cila bashkon qindra mijëra vullnete njerëzish të zakonshëm, duke u krijuar atyre hapësirën e duhur për modernizimin e Shqipërisë.
Deri më sot kemi patur parti, por nuk kemi patur platforma lirie. Kemi patur lëvizje, por nuk kemi patur zhvillim. Kemi patur mendim, por nuk kemi patur ide. Kemi patur pluralizëm, por nuk kemi patur demokraci.
Ne, një grup shqiptarësh të lirë, kemi vendosur të krijojmë diçka që nuk e kemi patur. Një projekt politik njerëzish të barabartë, që nuk shkojnë pas një njeriu, por pas një ideje. Duke ju kërkuar të bëheni pjesë, ju ftoj të gjithëve ta krijojmë bashkarisht këtë Projekt.
Secili është i lutur të më shkruajë:
Çfarë do donit nga një organizatë politike?
Si duhet të organizohet ajo?
Cilat shtresa duhet të mbrojë?
Në çfarë pikëpamjesh duhet të bazohet?
Si mund të vetëkorrigjohet?
Çfarë marrëdhëniesh duhet të ketë me partitë e tjera?
Kush duhet të jetë pjesë e saj?
Kush nuk duhet të jetë në asnjë rast pjesë e saj?