Blushi: Unë nuk jam socialist

890

blushi ne focusnews-2Socialistët kanë replikuar të vetëm shumë ashpër me njeri-tjetrin sot në Kuvend, në një seancë ku nuk ishte e pranishme opozita,  pas debatit që shpërtheu me furi pas fjalimit të deputetit “rebel” Ben Blushi për kandidimin  e “modeleve si Elvis Rroshi”.  

Ben Blushi e ka kundërshtuar me sarkazëm, Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, që reagoi pas fjalës që ai mbajti në fillim, duke i drejtuar ministrit edhe gishtin se me ç’tagër guxonte t’i tregonte se kush ishte socalist!

Blushi e ndau qartë konceptin e tij të Partisë Socialiste nga Rilindja, sepse Rilindja, theksoi ai disa herë, është Vëllazëria e Vesit!

Deputeti i nënvizoi Tahirit se unë nuk kam pse paguaj çmimin e të qenit socialist për njerëz të kandiduar nga Rilindja si Elvis Rroshi, si Koço Kokëdhima, si Shukri Xhelili apo si Arben Ndoka.

“Nëse të jesh socialist do të thotë të jesh si Roshi, si Kokëdhima, si Shukriu, si Ndoka – unë nuk jam socialist!” – thirri Blushi nga foltorja.

“Ky parlament është 20  vite jashtë rendit të ditës, sepse shumë rrallë diskuton, – tha deputeti, duke hedhur poshtë kërkesën e deputetit Erion Braçe për t’iu kthyer rendit të ditës dhe anashkaluar debatin në heshtje.

Më pas, ai iu kthye ministrit Tahiri, duke i nënkuptuar se ishte riosh në PS:

“Për debatet se kush është e s’është socialist, s’ke tagër ti të më tregosh se kush është një socialist. S’ke tagër ti që të më tregon kush është socialist i ndershëm.

Unë nuk kam pse të paguaj çmimin e të qënit socialist, nëse të jesh socialist  mbron përdhunuesit!

Unë nuk kam pse të paguaj çmimin e të qënit socialist, nëse të jesj socialist do të thotë të shkosh të në gjykatë dhe gjykata të thotë se ke abuzuar me fondet publike dhe s’je më deputet!

Unë kam pse të paguaj çmimin e të qënit socialist nëse 10% e kryetarëve të bashkive që kjo parti ka kandiduar, janë në konflikt me ligjin jashtë apo brenda vendit.

Unë nuk kam pse të paguaj çmimin e të qënit socialist, nëse kjo parti cenon çdo ditë interesin publik.

Unë do të sjell një alibi, jo alibi – por mbrojtje pozitive.

Nuk është PS-ja detyrimisht që e ka futur këtë, por Vëllazëria e Vesit ose Rilindja.

Ti nuk mbrojte PS-në, por një skemë të falimentuar të ligjit dhe dhunimit të ligjit prej këtyre njerëzve që u thuhet shkoni e bëni protestë për një njeri që thuhet se ka përdhunuar.

Gjylameti,  çfarë ke?! Unë mbroj interesin tim se ti je rilindase e devotshme.

Ky është Ministri i Brendshëm i Shqipërisë. Foli më shumë për mua se për atë që ka përdhunuar. Kush ka përdhunuar këtu?

Doli kryetari i grupit këtu e tha ky është “një konflikt personal!” Keni dalë shumë prej jush e thatë se s’ka njerëz me precedent penalë!

Po kë mbroni ju? Interesin publik jo, as ata të rinj që duan të bëjnë karrierë pa përdhunuar njeri, me meritokraci.

Dhe unë s’e përballoj dot më këtë. Ky është një çmim që nuk e përballoj dot, ndaj s’ka ardhur koha të më tregosh në jam socialist.

Nëse të jesh socialist do të thotë të jesh si Roshi, unë nuk jam socialist!

Nëse të jesh socialist, do të thotë të jesh si Kokëdhima, unë nuk jam socialist.

Nëse të jesh socialist do të thotë të jesh të Shukriu, unë nuk jam socialist.

Nëse të jesh socialist do të thotë të jesh si Arben Ndoka, unë nuk jam socialist!

Atëherë kush është socialist?! Unë jo e jo e jam i bindur që shumica prej jush skuqeni dhe keni arsye, se mbroni akoma partinë para Shqipërisë!

Kush e ka ndërtuar më shumë Shqipërinë ?! Ata që janë me partinë apo ata që s’janë me parti e ikin për të punuar në Europë.

Ka vetëm një mundësi për ta lënë këtë parti, të mos ia nënshtroni Rilindjes.

Unë po bëj çmos për të thënë që kjo është rruga e nënshtrimit.

Blushi u është drejtuar kolegëve të tij të mazhorancës, duke i pyetur nëse mbrojnë përdhunuesin si model. Sipas Blushit, atë që shoqëria dhe drejtësia italiane e dënoi si përdhunues, në Shqipëri zgjidhet kryetar bashkie, si Roshi në Kavajë.

Theksojmë se opozita ka bojkotuar Parlamentin pas pezullimit të ish-Kryeministrit Sali Berisha për 10 ditë nga jeta parlamentare.

Blushi e nisi fjalënm duke sjellë shembullin e Atlantik City në SHBA, të zhvilluar e pasuruar por prej liderëve të lidhur me krimin.

“Për ca kohë, qyteti lulëzoi, – tha Blushi, – se i hapi rrugë të madhe krimit, parasë së pistë dhe quhet Atlantik City. Ai që e drejtonte ishte dhe politikan dhe kriminel. A keni dëgjuar njeri t’i nderojë ata që e futën në rrugën e krimit? Jo, ata shkuan në burg.

Çështja është se megjithëse ndërtuan një qytet magjik si Atlantik City, a doli Amerika t’i nderonte apo ndonjë njeri që t’i nderonte?!

Nuk ndodhi, askush nuk i mori në mbrojtje. Pse ndodhi kjo në SHBA, që vërtet se ndërtuan një gjë realisht të bukur, ata morën ndëshkim. Sepse shoqëria ka nevojë primare të ndëshkojë të paligjshmen. Nuk iu nënshtrua industrisë krimit, por virtytit, moralit dhe nderit. E përmenda rastin për të treguar sesi shoqëritë kanë një vijë të qartë ndarjeje mes së dëmshmes.

Ky debat ka sot shumë kuptim në Shqipëri dhe besoj se për çfarë e kam fjalën. Ajo që ka ndodhur me kryetarin e bashkisë së Kavajës është shenjë e pastër e degradimit politik.

Ai bëri atë që mendonte se ishte e vlefshme në jetë dhe çau “dallgët”, por ne e morëm e bëmë atë ajkën e shoqërisë, se në këtë shoqëri nuk ka njerëz të ndershëm, profesorë, inxhinjerë, avokatë, juristë, por ka përdhunues. Ja pra kjo është diferenca. Në Itali, 40 milje nga Kavaja, ata e ndëshkuan, ne e bëmë kryetar bashkie!

Problemi nuk është ai, nuk mbaron me aq. Dikush këtu mendon se një djalë kapërceu dallgët e përdhunimit për të çarë jetën e vet. Dhe erdhi këtu gjeti një shok që ë bëri kryetar bashkie dy herë rresht. Çështja është jo ç’ka bëri ai duke kapërcyer rrugët e jetës, po se çfarë debati i ngrihet shoqërisë sonë, çfarë dallgësh i jep kësaj shoqërie?

Ju që e keni mbrojtur këtë model, jo këtë njeri, çna sugjeroni? Që duhet përdhunuar për karrierë? Që të jesh dënuar për të karrierë politike? E po nuk ka më plagë se kaq…

Çështja është që këta njerëz që ligji i kap, Rilindja po i strehon. Ata po kthehen në perandorë të qyteteve të tyre. Ky është dëmi më i madh që Rilindja i ka bërë Shqipërisë dhe Partisë Socialiste.

Nëse sot je socialist, do të thotë të mbrosh përdhunimin, të mbrosh dhunën. Unë sot nuk do të doja të isha socialist. Unë nuk jam më një socialist se këtë gjë nuk e bëj dot. Për fat të keq, kjo nuk është PS që unë njoh, po Rilindja e kthyer në Vëllazëria e Vesit.

Unë do të vazhdoj ta refuzoj këtë normë politike, sepse jam i bindur pse Shqipëria po zvogëlohet, pse nuk ka investime dhe ka kaq shumë krim.”




Këtë e pëlqejnë %d blogues: