Buxheti 2022, forcim i kapaciteteve teknologjike të ushtrisë shqiptare

Aktualitet

 Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rëndësinë e forcimit të kapaciteteve teknologjike në ushtrinë shqiptare.

Gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2022 për Ministrinë e Mbrojtjes, Rama u ndal fillimisht te Akademia Ushtarake, për të cilën tha se “nuk mund të pretendojmë se jemi aty ku duhet të jemi”.

“Nga viti 2022 fillojmë një megaprojekt me faza. Faza e parë do të garantojë gjithçka sot ne duhet të ofrojmë. Ndërsa në një fazë të dytë e të tretë, duhet të garantojmë gjithçka ne duam nesër. Do të ndërtojmë një Akademi Ushtarake model cilësie dhe pikë referimi për të rinjtë dhe të rejat që hyjnë në karrierën ushtarake, por edhe për qytetarë të vendeve të NATO-s apo vendeve të rajonit. Natyrisht, Kosova është vendi më i afërt i yni në çdo aspekt, jo vetëm gjeografik. Ndaj, kjo akadami duhet të shkëlqejë në hartën e sistemit akademik ushatarak të NATO-s”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri nënvizoi domosdomshërinë për të krijuar paralelisht me gjithë kapacitetin e gatishmërisë dhe mbrojtjes në terren me trupa dhe me të gjitha armët konvencionale, një forcë gatishmërie dhe mbrojtje në atë hapësirë që bëhet gjithmonë e më e gjerë dhe kërcënuese, hapësira virtuale ku operohet me teknologji”.

“Na duhet që të forcojmë kapacitetin e kontrollit mbi territorin duke zotëruar mjete të kohës, satelitë, dronë superinteligjentë dhe po ashtu kapacitetin mbrojtës duke zotëruar një mekanizëm të tërë që garanton se i gjithë aktiviteti që zhvillon vendi në hapësirën virtuale të mos jetë dot i goditshëm dhe të jetë 100% i sigurtë”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi këtu rëndësinë e një hapësire të kërkimit shkencor dhe zhvillimi teknologjik në dispozicion të gjithë sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes, trupave tokësore, ajrore dhe detare.

“Kjo do të sigurojë mbështetje për të zhvilluar së brendshmi kapacitetet teknologjike të ushtrisë shqiptare. Dihet se sistemet e mbrojtjes në departamentet e mbrojtjes janë sisteme ku janë bërë çudira nga pikëpamja teknologjike, që i kanë shërbyer gjithë vendit dhe gjithë botës. Ne nuk pretendojmë t’i shërbejmë gjithë botës, por t’i shërbejmë vendit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi po ashtu se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të forcojmë më tutje kapacitetin e Emergjencave Civile.

“Kalimi i Emergjencave Civile nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë gjëja e duhur. Ajo që na duhet është që vit pas viti t’i pajisim emergjencat tona civile jo vetëm me kapacitete logjistike apo teknologjike cilësore, por edhe me të gjithë dijen për t’u bërë tamam një ëngjëll mbrojtës i qytetarëve të këtij vendi në ditë të vështira”, tha Rama. /j.p/

Burimi:  Agjencia Telegrafike Shqiptare