Çako: nuk ka asnjë pajisje përgjimi; Ajazi: Pajisja është, por nuk e di nëse është përdorur

Aktualitet

pergjimi ne focus-3Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, raportoi para Komisionit të Sigurisë për çështjen e pajisjes së përgjimit, duke deklaruar se “Policia e Shtetit, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, nuk ka kryer përgjime telefonike”.
“Policia nuk ka asnjë pajisje përgjimi telefonik, për sa kohë është ky legjislacion në fuqi, ndërsa gjurmimi është koncept tjetër. Nuk është disponuar kurrë në ambientet e veta dhe asnjë punonjës nuk ka disponuar pajisje përgjimi. Gjithçka që ju pyesni janë pjesë e hetimit, e theksoj dhe një herë që Policia e Shtetit nuk ka pasur dhe nuk ka pajisje përgjimi. Çdo element i deklaruar këtu që është në dosje, cënon hetimin dhe mua më vendos para përgjegjësisë ligjore”, tha Çako, duke mos pranuar të ndajë me anëtarët e Komisionit të Sigurisë informacione të tjera.
Ajazi pyetet për përgjimet: Pajisja është, por nuk e di nëse është përdorur
Paraditen e së mërkurës nisi seanca dëgjimore e Komisionit të Sigurisë me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako, prokurorin e përgjithëm Adriatik Llalla dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
I pari që u shpreh për këtë çështje ishte Visho Ajazi, i cili tha: “Rreth 2 muaj më parë morëm informacion për një pajisje të teknologjisë së lartë që kishte ardhur në Shqipëri, në Vlorë. Ishte në një ambient trajnimi të policisë shqiptare. Kontaktova me prokurorin e përgjithshëm për këtë pajisje. SHISH-i informoi institucionet e shtetit, duke bërë detyrën, për një pajisje që mund të cënonte sigurinë kombëtare”.
Ajazi shtoi se kaq ishte detyra e institucionit që ai drejton: “Pas kësaj, e kishte në dorë prokuroria për të marrë informacione të mëtejshme. Nuk jemi interesuar kurrë se si është përdorur, ky është tagri i Prokurorisë së Përgjithshme. Nuk kishim mundësi për më shumë informacion. Nuk dimë se kush është përgjuar dhe pse është përgjuar. Nuk e kam parë kurrë pajisjen e përgjimit”.
Këtë informacion ai tha se e ka ndarë edhe me prokurorin e përgjithshëm gojarisht, por jo me kryeministrin, pasi nuk e kishte të konfirmuar ekzistencën dhe qëllimin e kësaj pajisjeje. Madje, ai i është përgjigjur edhe ftesës së Presidentit për t’i dhënë detaje në lidhje me pajisjen që, sipas tij, ndodhet në qytetin e Vlorës, por ai nuk e ka parë personalisht. Presidentit i është ofruar i njëjti informacion që kam ndarë edhe me kryeprokurorin Llalla, shtoi kreu i SHISH-it dhe asnjë informacion më tepër.
Disa minuta më vonë, i pyetur nga anëtarët e komisionit, ai u shpreh që kjo është një pajisje që për shtetin do të përbënte kënaqësi nëse do e zotëronim pasi është e domosdoshme për institucionet ligjzbatuese, por konfirmoi edhe një herë që ka hyrë në Shqipëri vetëm për arsye trajnuese dhe se nuk ka informacion nëse përdoret për përgjim.
Por ai e çoi më tej pohimin duke thënë se kjo pajisje, nëse përdoret për këtë qëllim, përbën rrëzik për sigurinë kombëtare pasi të gjithë personalitetet shtetërore e deri tek efektivi me më pak rëndësi i policisë, do të ishin vulnerabël ndaj përgjimeve.

/ Top Channel