Spartak NGJELA / Dje politika amerikane dhe europiano-perëndimore doli hapur në mbështetje të shqiptarëve dhe kundër korrupsionit. Berisha ù gjend i shokuar. Rama plotësisht dhe Meta (deri diku ) pranuan linjën amerikane të purifikimit shqiptar antikorrupsion me anë të instalimit të një pushtetit gjyqësor dinjitoz, që duhet të jetë me drejtësinë shqiptare dhe për drejtësinë e shqiptarëve.
Por Saliu ù mbyll në “bunkerin ” e tij bashkë me taborin abuzues. Ende nuk po dinë si të veprojnë. 5000 ushtarët rezultuan të ishin shurdhmemecë dhe duket se revolucioni i vjedhësve të shtetit nuk doli dot në akt. Sepse “Çeçoja nxori biçakun”.
A do ta çojë deri në fund politika amerikane dhe ajo europiano-perëndimore këtë çeshtje? Sigurisht që po.
Po Saliu, çfarë kushti do vendosë tani?
Sigurisht që do ta gjejë një kusht prej një katërmbëdhjetëvjeçari. Por ambasadori Donald Lu, çfarë duhet të bëjë paskëtaj?
Sali, duhet të ndalosh abuzimin me jetën dhe vuajtjen e shqiptarëve, se ke shkelur edhe në sinore të krimit ndërkombëtar. Mos e detyro politikën amerikane të nxjerrë ndonjë urdhër arresti ndërkombëtar për ty dhe disa pasues të tu, se do të jetë shume më e rëndë për ju. Bashkohu me historinë e ndershme të shqiptarëve, se i ke lodhur shqiptarët deri ku nuk mban më, sepse drejtësia do të vendoset në Shqipëri. Nuk po ka më as Beograd dhe as Moskë madje as Paris që ta ndalojë.
Historia e Shqipërisë ka hyrë në procesin e dinjitetit të saj ndërkombëtar për të arritur aspiratën kombëtare që ka nisur që në vitin 1444 dhe ka vijuar me sekrifica të mëdha deri në ditët e sotme, se nuk ka më as Sulltanë, as Pashallarë, as Enver dhe as Sali që ta ndalojë…
Këto ditë do të vendosen themelet modernë të aspiratës shqiptare. Le të presim të qetë ndërtimin e tyre.