Federata Shqiptare e Futbollit do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur për pankinën e Kombëtares shqiptare. Ky është mesazhi i dhënë nga ish-trajneri i skuadrës kuqezi, Gianni De Biasi, pas një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku u vlerësua për arritjet e tij me skuadrën tonë përfaqësuese.
“Federata do të dijë të zgjedhë, siç bëri edhe në rastin tim. Mendoj se është çasti më i mirë për të thënë se, edhe Duka do të bëjë një zgjedhje me kujdes dhe në liri të plotë. E rëndësishme është që trajneri, i cili do të vijë, të dijë t’i japë Shqipërisë mundësinë që të përmirësohet në të ardhmen. Nuk dua të ndikoj në zgjedhjet e presidentit Duka, por ai e di shumë mirë se, sa herë do të ketë nevojë për mua, do të më ketë gjithnjë në krah”, tha Gianni De Biasi, ish-trajner i Kombëtares.
Trajneri De Biasi theksoi gjithashtu se janë të shumtë ata që duan të marrin drejtimin e Kombëtares shqiptare, që tashmë është shumë interesante.
“Shqipëria tani është një skuadër që tërheq dhe nuk ka qenë e tillë përpara disa vitesh. Është një kombëtare që u jep mundësinë shumë trajnerëve që të shfaqin vlerat e tyre dhe të bëjnë një figurë shumë të mirë, sepse ekziston mundësia e pjesëmarrjes në ‘Euro 2020’, që do të zhvillohet në të gjithë kontinentin. Kjo përbën një mundësi të mirë për çdo trajner, që të kualifikojë Shqipërinë për herë të dytë në një kompeticion të tillë”, tha më tej Gianni De Biasi.
Në fund, De Biasi nuk rezistoi dhe me tone humori përmendi 3 emra trajnerësh, si pasuesit e mundshëm të tij: Fabio Capello, Trappattoni, Lippi…ciao!
/ Top Channel