Dosja I.M, numri i personave të ndjekur dhe arrestuar nga Sigurimi i Shtetit në vitet 1970-1980

Politika

Opinioni publik u trazua ditët e fundit nga një shkresë që Autoriteti i Dosjeve i dërgonte Kuvendit të Shqipërisë, ku theksonte se ish-presidenti Ilir Meta figuron në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, duke nënkuptuar se Meta ka qenë bashkëpunëtor i këtij shërbimi të fshehtë komunist.

Sigurisht që shoqëria vazhdon të mbetet shumë e ndjeshme ndaj kësaj tematike. Dhe kjo për të vetmen arsye, se në këto 30 vite tranzicion politik, asnjëherë nuk u bë një transparencë e plotë mbi veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Madje, mund të thuhet se kjo çështje është kthyer në burim spekulimesh, ku hera-herës tentohet të relativizohet roli i Sigurimit të shtetit dhe nga ana tjetër, të fryhet e zmadhohet.

Të dyja fenomenet janë të rrezikshëm historikisht. Nëse njëra palë tenton të ulë e minimizojë rolin e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të Partisë-Shtet në jetën e shqiptarëve, pala tjetër vrapon të përfshihet në kategorinë e ish- të përndjekurve nga regjimi komunist.

Në këtë kategori njerëzish, e shndërruar tashmë na laramane, përfshihen brenda saj të përndjekurit e vërtetë politikë që vuajtën burgjeve e internimeve (që dëgjohen e flasim më pak sot, për hir të së vërtetës), ish- të burgosur ordinerë e kriminelë si edhe dhe ish-zyrtarë e njerëz, të cilët kishin në fis ndonjë “armik” që e kishin bërë hasha në atë kohë dhe që sot shiten “më të përvëluar nga sistemi komunist” se të përndjekurit e vërtetë. Pasojat e këtij kaosi i vuan gjithë shoqëria shqiptare, por më së shumti vetë ish-të përndjekurit e vërtetë, të cilët sikurse do të shohim në statistikat e mëposhtme, nuk kanë qenë të paktë.

Ende nuk ka një studim të plotë dhe të besueshëm për numrin e përpunimeve aktive “2A” për agjitacion e propagandë dhe kontingjente për gjithë periudhën 45-vjeçarë të Sigurimit të Shtetit. Po ashtu, një i tillë mungon edhe për arrestimet për krime kundër shtetit.

Dokumentet që po botojmë dot, janë dy tabela statistikore të nxjerra nga statistikat që ndodhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitet 1973-1981. Në njërën tabelë janë pasqyruar statistikat e sektorit të Sigurimit në vitet 1973-1981 për përpunimet aktive “2A” për agjitacion e propagandë e kontingjente dhe, në tabelën e dytë, janë pasqyruar arrestimet për krime kundër shtetit, për të njëjtën periudhë.
Që të jemi të qartë, le të shpjegojmë së pari termat “përpunim aktiv 2A” dhe “kontingjente”.
Sigurimi i Shtetit bënte dy lloje përpunimesh: përpunim paraprak dhe përpunim aktiv.

Përpunimi paraprak fillonte atëherë kur Sigurimi merrte të dhëna se një person apo grup personash zhvillonte veprimtari armiqësore. Për të vërtetuar këtë veprimtari, personi merrej në përpunim paraprak, i cili nuk duhej të zgjaste më shumë se 6 muaj. Në rast se gjatë përpunimit paraprak vërtetohej zhvillimi i veprimtarisë armiqësore, atëherë personi kategorizohej në “përpunim aktiv 2A” dhe regjistrohej në kartotekën e dytë. Nëse gjatë përpunimit vërtetohej se të dhënat e mbledhura ishin të rreme, atëherë materiali i mbledhur asgjësohej dhe nuk regjistrohej në kartotekë.

Pra, në “përpunim aktiv 2A” viheshin të gjithë ata persona të cilat aktualisht kryenin veprimtari armiqësore kundër Partisë-shtet. Pra, përpunimi aktiv (2A) mund të ngrihej si rezultat i përpunimit paraprak ose si rezultat i aktivizimit të elementëve të regjistruar në 2B. Në kartotekën 2B regjistroheshin të gjithë personat që në të kaluarën kishin kryer veprimtari armiqësore, por që aktualisht qëndronin inaktivë. Në momentin që shikohej se ata aktivizoheshin, kalonin në përpunim aktiv 2A.

Termi kontingjent nënkuptonte të gjithë personat me të dhëna ose të vërtetuar, për qëndrimet e tyre armiqësore ndaj partisë-shtet.
Arrestimet për krime kundër shtetit kryheshin nga Sigurimi i Shtetit. Për arrestimin e një personi, vendimin e merrte kryetari i degës së punëve të brendshme, me aprovimin e zv./Ministrit për Sigurimin.

Nëse shohim statistikat e Sigurimit në vitet 1973-1981 për përpunimet aktive 2A për agjitacion e propagandë, vërejmë se në një hark kohor prej 8 vitesh, numri i tyre është rritur ndjeshëm. Nëse në vitin 1973 ishin 239 persona në përpunim aktiv nga Sigurimi dhe 17.767 kontigjente, në vitin 1981 ishin 683 persona në përpunim aktiv, pra rreth 296% më shumë se në vitin 1973. Ndërkohë, numri i kontingjenteve ishte rritur po ashtu disa herë, nga 17.767 në vitin 1973, në 65.383 në vitin 1981.

Ajo që bie në sy është rritja në vazhdimësi e numrave për të dyja kategoritë. Ky fenomen shpjegohet me arrestimet dhe dënimet që Enver Hoxha bëri në vitin 1974 me spastrimet e njohura në ushtri, për të kulmuar me vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Sigurisht, që në kësi rastesh rritej numri i përpunimeve dhe kontingjenteve. Përpunimet më të mëdha janë bërë në vitin 1980, me 894 persona brenda një viti.

Vetëm nga viti 1973 në 1974, numri i kontingjenteve u rrit me 277.5%. Pra, nëse në vitin 1973 numri i kontingjenteve ishte 17.767, një vit më vonë shkoi në 67.073 persona.
Po kaq me interes dhe i mirëanalizur është edhe numri i arrestimeve për krime shteti të bërë nga Sigurimi i Shtetit në vitet 1973-1981, ku përfshiheshin: spiunazhi, drejtimi antiparti, agjitacion e propagandë, arratisja, tendencë organizimi, tendencë terrori, diversioni, dëmtimi dhe sabotimi.

Në vitet 1973-1981 janë arrestuar 3134 persona me akuzat e mësipërme. Normalisht, për këto vite kaq duhet të jetë edhe numri i të dënuarve politikë, sepse rrallë herë, madje asnjëherë, ndodhte që një i arrestuar për krime kundër shtetit të shpallej i pafajshëm. Gjithsesi, kjo gjë vërtetohet nga regjistrat e dënimeve politike sikurse edhe dosjet hetimore-gjyqësore.

Le tu hedhin një sy shifrave: arrestimet më të mëdha janë bërë në vitin 1979, në të cilin janë arrestuar 466 persona. Prej të cilëve, 69 për spiunazh, 8 për drejtim antiparti, 264 për agjitacion e propagandë, 79 për arratisje, 18 për tendencë organizimi, 2 për tendencë terrori, 2 për diversion, 17 për dëmtim dhe 7 për sabotim.

Ajo që bie në sy është që numri më i madh i të arrestuarve në të gjithë vitet i përkasin kategorive agjitacion e propagandë dhe arratisje.

Burimi : Vox News