Reagimi i partisë ZGJIDHJA mbi kërkesën e Holandës për rikthimin e vizave për shqiptarët.
Partia ZGJIDHJA, e drejtuar nga Koço Kokëdhima, deklaroi sot se thirrja e autoriteteve holandeze për ndërprerjen e lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë në zonën Shengen, për shkak të rritjes së kriminalitetit shqiptar në Holandë, është një dënim kolektiv për qytetarët e vuajtur të Shqipërisë.
Në një reagim në Facebook, partia ZGJIDHJA deklaroi se do të ishte tragjike rikthimi i vizave për shqiptarët dhe vërejti me shqetësim për rritjen e qëndrimeve shqiptarofobe nga shumë qeveri perëndimore. ZGJIDHJA fajsësoi qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për rrënimin e imazhit të Shqipërisë në botë, si një vend të zhytur në drogë, krim dhe varfëri dhe kërkoi reagim nga kancelaritë perëndimore ndaj një qeverie që po e çon vendin në humnerë
Statusi në Facebook
Raporti i përbashkët i policisë dhe prokurorisë së Amsterdamit mbi rritjen e kriminalitetit shqiptar dhe kërkesa e tyre për përjashtimin e Shqipërisë nga zona e lirë Schengen është në qendër të vëmendjes së mediave këto ditë. Në këtë raport, bazuar në fakte episodike, përgjithësohen karakteristika denigruese për shqiptarët dhe kërkohet dënimi kolektiv i tyre, duke rivendosur vizat dhe kufizuar lirinë e lëvizjes në vendet e BE-së. Institucionet ligjzbatuese, dhe ato të drejtësisë së disa vendeve europiane, nuk po i fshehin më qëndrimet shqiptarofobe dhe kërkesat për dënime kolektive. Për popullin e rraskapitur të Shqipërisë do të ishte tragjedi e rëndë të imagjinohej rikthimi i vizave. Ky raport, gjithsesi, ka cenuar edhe sigurinë juridike të çdo shqiptari që nesër do të ballafaqohet me këto institucione. Sa i paragjykuar do jetë një shqiptar, nëse vendos të udhëtojë në Holandë? Këto raporte të hartuara nga institucionet publike të një vendi europian, do të përdoren për të rritur urrejtjen ndaj shqiptarëve nga forcat ekstremiste dhe radikale jo vetëm në Holandë, por në çdo vend tjetër të botës.
ZGJIDHJA është e shqetësuar edhe nga qëndrimi i Ambasadës Holandeze në Tiranë, nga e cila pret reagime më të përshtatshme. Qeveria jonë duhet të thërrasë ambasadorin holandez dhe t’i kërkojë llogari shtetit të tyre, përmes një note proteste, për institucionet dhe zyrtarët që kanë hartuar këtë raport. Vendet si Holanda duhet t’i zbatojnë e mbrojnë vlerat europiane, në radhë të parë vetë, dhe sidomos kur është fjala për raste të tilla të cenimit kolektiv të të drejtave të shqiptarëve.
ZGJIDHJA e di se shqiptarofobinë dhe diskriminimin e qytetarëve tanë në Europë e favorizon dhe e përligj fakti që Qeveria e Tiranës është e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në palcë! Pas raportit holandez qëndron KANABISGATE i qeveritarëve tanë. Me këtë qeveri, si kurrë më parë në Shqipëri, lulëzoi mafia e drogës dhe e korrupsionit. Rama ia kaloi Saliut sa e sa herë në bëmat e zeza me pushtetin.
ZGJIDHJA e denoncon këtë kryeministër dhe këtë elitë politike që shkatërruan themelet e shtetit tonë demokratik, e zhytën Shqipërinë në drogë, krim, në skamje, papunësi e mjerim dhe punuan vetëm për pasurimin e tyre personal me çdo rrugë e çdo mjet dhe në aleancë e bashkëpunim të ngushtë me mafien dhe kriminelët. Ata e grisën, e ndynë dhe e turpëruan emrin e Shqipërisë në botë!
ZGJIDHJA e ka bërë të qartë se nderin e Shqipërisë, ekonominë, sigurinë, demokracinë dhe lirinë e saj, e kanë sterrosur dhe shkatërruar një grusht oligarkësh dhe kriminelësh që kanë kapur partitë politike dhe përmes tyre, qeverinë dhe institucionet e shtetit tonë.
ZGJIDHJA është e vetëdijshme se diplomacia europiane, ku ka pjesën e vetë të rolit e ndikimit edhe Holanda, është jo pak përgjegjëse për fatkeqësitë që i ka shkaktuar elita politike e Shqipërisë popullit tonë. Kjo elitë e korruptuar, mafioze dhe e kriminalizuar shkatërroi zgjedhjet e lira dhe çdo standard të shtetit ligjor, e vuri shtetin në shërbim të krimit të organizuar. Diplomatët europianë kanë mbyllur sytë përpara të vërtetave të këtushme dhe shpeshherë kanë ndarë interesa korruptive me qeveritarët e Shqipërisë. Nëse Europa e do Shqipërinë partnere serioze dhe pjesë të saj, të mbështesë projektin tonë politik për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve dhe demokratizimin e qeverisjes.
ZGJIDHJA e di se me këtë qeverisje, çdo ditë po shkojmë drejt rrënimit të gjithanshëm, izolimit dhe vetëvrasjes kombëtare. Ky kryeministër i paaftë dhe gënjeshtar, që kriminalizoi çdo qelizë të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, po na çon të gjithëve në humnerë.
#ZgjidhjaPërShqiptarët