Emigrantët shqiptarë në Greqi përbëjnë numrin më të lartë të të huajve që kanë marrë shtetësinë greke gjatë vitti 2017. Të dhënat e publikuara së fundi nga Agjencia Evropiane e Statistikave EUROSTAT dhe që pasqyrohen gjerësisht në mediat greke flasin se 86.8% e rreth 34 305 personave që morën shtetësinë greke në 2017 ishin qytetarë shqiptarë, 1.3% ukrainas dhe 1.1% nga Moldavia. Sipas të dhënave europiane lëshimi i shtetësisë në vitin 2017 ishte në Greqi 3% më shumë se në vitin 2016.
Në qershor të vitit 2015, Greqia votoi me konsenus të gjerë ndërpartiak ligjin për dhënien e shtetësisë fëmijëve që lindin e rriten në Greqi. Sipas të dhënave greke nga viti 2016, që filloi zbatimi i legjislacionit deri më sot, 66 mijë të rinj e të reja kanë marrë nënshtetësinë greke. Analistët vlerësojnë se një pjesë jo e vogël e emigrantëve shqiptarë që qëndrojnë prej vitesh në Greqi kanë synuar marrjen e shtetësisë greke për t`u bërë qytetar i një vendi të BE-së .
Kështu, pas krizës ekonomike që mbërtheu Greqinë, ata e kanë pasur më të lehtë të emigrojnë drejt Britanisë dhe disa prej vendeve europiane. Në këto vende emigrantët shqiptarë janë pajisur lehtësisht me leje pune dhe sidomos kanë arritur të përfitojnë nga tarifat e shkollimit për fëmijët që për shtetasit europianë janë shumë më të lira ne vendet e BE-se krahasimisht me tarifat për shtetasit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.Sipas Eurostat në vitin 2017, më shumë se 825,000 persona fituan shtetësinë e shtetit anëtar të Bashkimit Europian, krahasuar me 995,000 në vitin 2016 dhe 841,000 në vitin 2015.
Nga numri i përgjithshëm rreth 17% ishin ish-qytetarë të një shteti anëtar të BE-së, dhe shumica ishin qytetarët e shteteve jo-anëtare të BE-së ose personat pa shtetësi. Qytetarët shqiptarë ne 2017 renditen të dytët me 58.900 persona , 97% e të cilëve e kanë fituar shtetësinë në Greqi ose Itali ndërsa grupi më i madh për marrjen e shtetësisë ishin qytetarë të Marokut (67. 900 persona, nga të cilët 83% e kanë fituar shtetësinë në Itali, Spanjë apo Francë).
Burimi: Tribuna News