Federalizimi i Maqedonisë, rruga drejt NATO-s dhe BE-së!

1057

maqedonia federate

Sulejman ABAZI  / E thënë që në fillim, për këtë zgjidhje të mundëshem politike në Maqedoni, shqiptarët nuk duhet të lejojnë të tradhëtohen në rrugë e sipër!

Deklarata e Zajevit duhet kushtëzuar. Ta shpjegojmë me gjakftohtësi një opsion të tillë, të ballafaquar me realitetin social politik në prag të zgjedhjeve. Brenda faktorit politik shqiptar në Maqedoni po ndodh një çmenduri kolektive shumë e rrezikëshme që po shkatërron moralin shoqëror dhe po dëmton rëndë interesat e popullsisë shqiptare në prag të zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Elektorati shqiptar është tërësisht i çoroditur dhe në krizë të thellë besimi, për shkak të luftës politike partiake pa parime dhe pa interesa kombëtare, si përherë edhe këtë radhë, të bëhet këmba e thyer e karriges së pushtetit politik maqedon në dëm të vet shqiptarëve.

Loja politike dhe elektorale me deklarata ekstreme, tregon varfërinë shpirtërore dhe morale të liderëve politikë, tregon paaftësinë e tyre për të gjykuar dhe për t’u bindur se, vendimarrja e ardhmërisë së shtetit të Maqedonisë nuk do të merret nga shqiptarët, as nga maqedonët, por do të jetë një produkt i rivalitetit ruso – amerikan, në bazë të domosdoshmërive dhe tendencave të zhvillimeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike të rajonit.

Ajo që veçohet në analizën e përgjithëshme politike, është fakti që sot politika shtetërore maqedone është në shërbim të rusëve. Në këto kushte, propaganda shqiptare duhet të evidencojë provat për këtë kurs politik prorus dhe ky është një detyrim i inteligjencies dhe atdhetarizmit shqiptar. Këtë duhet ta bëjnë sëbashku liderët politikë shqiptarë, nëse janë të vendosur në rrugën e progresit për Maqedoninë. Brenda kësaj analize, duke vlerësuar synimin kryesor të politikës maqedone, duhet të evidencohen me argumente bashkëveprimi midis Gruevskit dhe Zajevit, të cilët kur vjen radha për kundër faktorit shqiptar. Ata gjenden dhe do të gjenden në krah të njeri tjetrit. Shqiptarët në Maqedoni nuk duhet të lejojnë këtë radhë që, një Gruevski të largohet dhe një Gruevski tjetër të vij në krye të shtetit.

Loja e dyfishtë e Zajevit, i cili tenton të dalë kryeministër i ardhshëm i Maqedonisë me votat e shqiptarëve dhe duke pretenduar konfederatën, është e udhës të deklarohet, ose në të kundër të demaskohet hapur në opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Ajo që mund t’i kërkojnë Zajevit në këtë kohë paraelektorale është që, këto deklarata të mos i bëjë “cic mic” në takime dypalëshe me liderë shqiptarë, por t’i deklarojë mediatikisht, hapur, të zyrtarizuara, duke shpjeguar qartë pse shqiptarët duhet të futen në një aleancë të tillë zgjedhore dhe të orientohen në kursin politik perëndimor për Maqedoninë. Ai duhet të deklarojë në bisedime reale me palën shqiptare, se çfarë ka ndërmend në mënyrë programore të bëj në interes të stabilitetit politik, social dhe ekonomik të shtetit, ndryshe, këtu kemi të bëjmë me demagogji dhe mashtrim politik vetëm për të siguruar pushtetin.

Tradhëtia e radhës kundër shqiptarëve edhe në këtë rast do të ndodhë në rrugë e sipër, atëherë kur gjërat të mos kenë më kthim pas. Loja politike për qeverisjen e mëtejëshme të Maqedonisë me faktorin shqiptar, në kushtet e thërrmimit të tij politik, nuk do të ndryshojë asgjë, përkundrazi, potencialet elektorale shqiptare do të rrudhen edhe më shumë.

Përgjegjës për këtë tradhëti të radhës do të jenë udhëheqësit kryesor shqiptar, pa dallim, të cilët po e mbajnë elektoratin potencial shqiptar të thërrmuar, të përçarë, të joshur nga interesa të ngushta partiake dhe klanore.

Njerëzit e ndershëm që janë larg llumit politik, duhet ta bindin opinionin shqiptar për këtë rrugë të gabuar dhe pa krye në të cilën tenton t’i tërheqë faktori politik shqiptaro maqedon, i kriminalizuar rëndë deri në ditët e sotme.

Çfarë garancie kanë këto aleanca dhe mbi çfarë bazash duhet të mirëfunksionojnë, kur e dimë frot mirë se, liderët tradhëtarë shqiptarë duan sot pushtet në kurriz të çështjes shqiptare në Maqedoni?!

Çfarë ka ndryshuar pas rrëzimit të Gruevskit?

Çfarë deklarohet sot për gjuhën shqipe?

Çfarë ka ndryshuar në kodin zgjedhor në Maqedoni?!

Çfarë është bërë me listat zgjedhore dhe 6 zonat zgjedhore, të cilat për kushtet e Maqedonisë duhet të shkrihën në një?!

Çfarë ka ndodhur më “bombat” e Zajevit, kush është ndëshkuar, kush ka reflektuar, çfarë të mire kanë sjellë ato në interes të shqiptarëve?!

Çfarë po ndodh sot me Gjykatën Speciale, e cila është nën një presion të fort ultranacionalist për të mos bërë punën e saj?!

Nëse këto kushte dhe shumë të tjera nuk kanë pësuar ndryshime, nëse Nikola mbetet “njeriu i fortë” i Maqedonisë, atëherë edhe këtë radhë zgjedhjet e 11 dhjetorit nuk mund dhe nuk duhet të zhvillohen në Maqedoni.

Politika shqiptare duhet t’i përmbahet opsionit më të mundëshëm, Maqedonia një Federatë, sepse kështu do të ishte shumë më e sigurtë për t’u pranuar në NATO dhe në BE.

Në lidhje me këtë opsion, Zajevi duhet të dalë hapur botërisht, para faktorit të brendëshëm social politik dhe faktorit të jashtëm, se çfarë u kërkon shqiptarëve për të realizuar këtë ndryshim kushtetues, që lidhet me të ardhhmen e shtetit të Maqedonisë. Vetëm në një front të përbashkët pa dallime politike, jo si deri tani, vetëm të bashkuar politikisht mund të arrihet e ardhmja e sigurtë e stabilitetit të Maqedonisë, e federalizimit të saj për t’u hapur rrugën respektimit të të drejtave njerëzore dhe integrimit të saj në strukturat perëndimore. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe politike, për të cilën koha do të gjykojë pa mëshirë këdo që ka shitur interesat shqiptare dhe atdheun për një copë karrige.

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: